17/02/2009
Shtetasit e Kosovës po shënojnë një vit të pavarësisë të martën. Serbia, megjithatë, thotë se nuk do ta njohë kurrë vendin.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi dhe Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Prishtinë dhe Beograd -- 17/02/09
![]() Shumë njerëz u bashkuan me festimet në sheshin kryesor të Prishtinës, ku valviteshin flamujt e vendeve që kanë njohur shtetin e ri. [Laura Hasani] |
Kosova nisi të festojë të hënën (16 shkurt) vitin e parë të saj si shtet i pavarur. Flamujt e Kosovës dhe ata shqiptarë valviteshin anembanë kryeqytetit të republikës së re, e cila ka fituar njohjen nga 54 vende.
Shumë shtetas, megjithatë, kanë shkuar nga euforia rreth pavarësisë së vendit tek zemërimi lidhur me dhunën e vazhdueshme në veri, papunësinë e lartë dhe mungesën e njohjes së përgjithshme diplomatike.
Kryeministri Hashim Thaçi, megjithatë, arsyeton se viti i parë i plotë i Kosovës si shtet sovran ka qenë "një sukses i plotë".
"Ne do të njihemi nga e gjithë bota," tha ai për AP të hënën. "Ne po ndërtojmë një atdhe për të gjithë popullin e Kosovës."
Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi uroi shtetasit dhe vuri në dukje zhvillimet e vitit të kaluar. "Përvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me arritje historike në fushat e brendshme dhe ndërkombëtare," tha ai. "Ne kujtojmë me krenari martirët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës."
Shumë vende që kanë njohur shtetin dërguan urime, njoftoi zyra e Presidentit Fatmir Sejdiu të hënën.
"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të mbështesin Kosovën shumëetnike, të pavarur dhe demokratike," shkroi Presidenti i SHBA Barak Obama.
Megjithatë, jo të gjitha vendet e festuan ditën. Politika e Serbisë ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar: partitë kryesore serbe thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë "e paligjshme" të Kosovës, edhe sikur njohja të dalë si një kusht për anëtarësimin në BE.
Sipas njoftimeve të medias, një numër ligjvënësish serbë po udhëtojnë me autobuz nga Beogradi në Zveçan në Kosovën e veriut, ku ata planifikojnë të shfqain solidaritetin e tyre duke ndjekur një sesion të parlamentit të vetëshpallur serb etnik.
Presidenti serb Boris Tadiç thotë se Kosova "është çështja më delikate për Serbinë", si dhe për sigurinë rajonale e europiane, e tillë që Serbia do të përpiqet ta zgjidhë me mjete diplomatike.
Tadiç shtoi se për Beogradin, 17 shkurti "është thjesht një datë kur u bë një akt i paligjshëm, kur Prishtina e bëri në mënyrë të paligjshme Kosovën një shtet të vetëshpallur".
Ndërkohë, Beogradi ka njoftuar një numër nismash diplomatike që kanë për qëllim zbatimin e planit gjashtë-pikash të OKB për Kosovën.
Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban Ki-mun në Nju Jork të martën dhe shefi i UNMIK Lamberto Zanier do të vizitojë Beogradin të enjten. "Plani gjashtë-pikash nuk ekziston për Kosovën," tha Zëvendës/Kryeministri i Kosovës Ramë Manaj, duke pasqyruar qëndrimin e mbajtur gjatë prej Prishtinës lidhur me planin.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes