08/01/2009
Shumica e vendeve të Ballkanit po ndjejnë barrën e mosmarrëveshjes së gazit natyror midis Rusisë dhe Ukrainës e cila u ka kushtuar atyre aksesin ndaj furnizimeve të reja.
(Burime të ndryshme -- 06/01/09 - 08/01/09)
![]() Bullgaria, Hungaria, Austria, Gjermania, Polonia, Rumania, Republika Çeke dhe Turqia po shohin mungesa të të gazit natyror pasi Gazprom i Rusisë furnizon shumicën e importeve të tyre. [Getty Images] |
Krerët e Gazprom të Rusisë dhe Naftogaz të Ukrainës u takuan të enjten (8 janar) në Moskë për të diskutuar zgjidhjet në një mosmarrëveshje lidhur me çmimet e gazit dhe pagesat e tranzitit, që ka goditur BE dhe vendet e Ballkanit në një nga dimrat më të ftohtë në dekada.
CEO i Gazprom Aleksei Miller dhe homologu i tij i Naftogaz, Oleh Dubyna, mbajtën takimin e tyre të parë kokë më kokë që nga fillimi i krizës në 1 janar, kur Rusia preu dërgesat e gazit në Ukrainë. Moska dhe Kievi fajësojnë njëra tjetrën për ndërprerjen.
Rusia jep 25% të furnizimeve totale të gazit të Evropës duke përçuar rreth 80% të kësaj pjese nëpërmjet tubacioneve që përshkojnë Ukrainën.
Bullgaria, e cila varet nga Rusia për 96% të gazit të saj, ishte një nga vendet e BE të goditura më keq nga humbja e menjëherëshme e furnizimeve të martën.
Miliona bullgarë e ndjenë pasojën e kësaj mase pothuajse menjëherë, pasi radiatorët në godinat me ngrohje qendrore anembanë vendit u ftohën përpara perëndimit të diellit dhe shërbimet u përpoqën të gjenin karburante alternative. Dhjetra shkolla e kopështe u mbyllën të mërkurën pasi temperaturat brenda tyre ranë nën minimumin ligjor. Disa spitale thanë se mund të trajtonin vetëm pacientët që kërkonin përkujdesje urgjence. Organizata e punëdhënësve në vendin më të varfër të BE tha se bizneset po humbnin rreth 250 milion euro në ditë.
Neochim, një nga prodhuesit kryesorë të plehrave kimike të Bullgarisë, tha se i shpëtoi një shpërthimi të madh të martën kur ju desh të mbyllte strukturat e veta mbi një bazë të nxituar urgjence.
Maqedonia, Greqia dhe Turqia po haen gjithashtu me mungesat. Dy të fundit janë më pak të varura nga gazi natyror rus dhe kanë udhë alterantive furnizimi, por Maqedonia, si Bullgaria, mbështetet pothuajse krejtësisht në gazin rus.
Dy nga fabrikat më të mëdha të Maqedonisë thuhet se u desh të ndërprisnin prodhimin pas Krishtlindjeve ortodokse, të mërkurën.
Bosnje dhe Herzegovina (BiH), Kroacia, Serbia dhe Rumania raportuan gjithashtu një ndërprerje totale të furnizimeve ruse duke u prekur nga kjo në shkallë të ndryshme.
Midis tyre, BiH është në formën më të keqe dhe i trëmbet "fatkeqësisë" pasi Rusia furnizon gati të gjithë gazin e saj. Boshnjakët nxituan të blenë ngrohës elektrikë në motin e ngrirë të së mërkurës, ndërsa dy shkrirësit kryesorë të metaleve u desh të mbylleshin gati plotësisht.
Kroacia thuhet se ka mjaft rezerva për të shkuar rreth tre javë, në pjesën më të madhe pasi ajo prodhon gati gjysmën e gazit natyror që i duhet.
Serbia, prapë mbështetet në furnizimet ruse për rreth 87% të nevojave të saj. Srbijagaz thotë se rezerva e gazit mund të zgjasë rreth dhjetë ditë.
Rumania furnizon rreth 65% të nevojave të veta . Qeveria i siguroi rumunët se gazi e ngrohja do të jenë të dyja siç duhet dhe "se industria mund të cënohet vetëm në qoftë se temperaturat bien nën një mesatare -15 gradë Celsius".
Miller dhe Dubyna do të ndjekin një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE në Bruksel të enjten që do t'i drejtohet krizës.
Duke akuzuar të mërkurën të dy vendet për mbajtjen "peng" të furnizimit me gaz të BE, presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso bëri thirrje për një rinisje të menjëherëshme të furnizimeve.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes