29/08/2008
Rikonfigurimi i UNMIK hoqi vendim-marrjen nga sfera e veprimit të tij; ai do të përqëndrohet tani në mbikqyrjen e bisedimeve midis Beogradit e Prishtinës.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë – 29/08/08
![]() Shefi i UNMIK Lamberto Zanier do të përfshihet në bisedime. [UNMIK] |
Me rikonfigurimin e UNMIK, misioni nuk ka më fuqi vendim-marrëse në shtetin e ri të pavarur, tha në Prishtinë të mërkurën (27 gusht) zëdhënësi i UNMIK Aleksander Ivanko. "UNMIK nuk ka qenë në një pozitë për të detyruar marrëveshje apo zgjidhje që nga 15 qershori," tha ai.
Roli aktual i misionit është të inkurajojë dialogun midis Beogradit e Prishtinës. UNMIK do të donte që ato të mbanin bisedime të drejtpërdrejta pa ndërmjetës, të cilat do të përqëndroheshin në sektorët e ngritur nga sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki-mun.
Ivanko ka besim se një dialog i tillë midis Prishtinës e Beogradit mund të nxitej me mbikqyrjen e UNMIK. "Ne kemi një dialog nëpërmjet një pale të tretë midis Prishtinës e Beogradit, me palën e tretë që është shefi i UNMIK-ut dhe ky është ndërkaq një hap pozitiv," tha ai.
UNMIK do të nisë të tilla bisedime të drejtpërdrejta menjëherë. "Aktualisht, nga perspektiva jonë, do të ishte tepër e dobishme në qoftë se një takim i tillë do të qe mbajtur dje, po për shkak të qëndrimit të qeverisë serbe një takim i tillë nuk ishte i realizueshëm," tha Ivanko.
Javën e shkuar, shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier u takua me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe e informoi atë mbi bisedimet aktuale të ndërmjetësuara, në të cilat Zanier është pala e tretë. "Plani tjetër është që shefi i UNMIK të takohet me [ministrin serb për Kosovën] Goran Bogdanoviç...në shtator," tha Ivanko.
Muajin e shkuar, zyrtarët e Kosovës thanë se qenë gati për negociata me Beogradin, por Serbia refuzoi. "Prishtina është gati të angazhohet në bisedime praktike me Beogradin në një rang të gjerë çështjesh," tha në fund të korrikut ministri i jashtëm Skënder Hyseni. "Ne jemi gati të bisedojmë drejtpërsëdrejti me Beogradin."
Të njëjtët zyrtarë, megjithatë përsëritën se pavarësia e Kosovës nuk do të jetë në axhendë. "Pavarësia e Kosovës nuk është e negociueshme dhe ajo kurrë nuk do të negociohet përsëri," tha Hyseni.
Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç thotë se Beogradi nuk do të bisedojë me Prishtinën. "Ne nuk jemi të përgatitur të hyjmë në diskutime me autoritetet e përkohëshme shkëputëse të Kosovës,' tha ai. Megjithatë, Beogradi do të diskutojë Kosovën me Ban, Zanier dhe zyrtarë të tjerë të OKB.
Kosova shpalli pavarësinë në shkurt. Vendi ka tani marrëdhënie diplomatike me 46 shtete. Serbia dhe aleatja e saj, Rusia vazhdojnë ta shohin Kosovën si një krahinë serbe.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes