22/07/2008
Policia në Beograd arrestoi Radovan Karaxhiç, paditur nga Gjyakata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, për genocid në Bosnje dhe Herzegovinë. Autoritetet serbe shpresojnë se arrestimi do të hapë rrugën e vendit për në BE.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 22/07/08
![]() Pati kremtime në Sarajevë herët të martën (22 korrik) pas fjalës për arrestimin e kreut serb Radovan Karaxhiç në Beograd. [Getty Images] |
Policia kapi në Beograd të hënën (21 korrik) të paditurin për krime lufte Radovan Karaxhiç pas një periudhe të gjatë mbikqyrjeje nga shërbimi i sigurimit serb. Bashkërenduesit e arrestimit, Rasim Ljajiç dhe Vladimir Vukçeviç, thanë se Karaxhiç qe fshehur në Beograd dhe kishte ndryshuar pamjen e vet kaq shumë sa që nuk njihej as nga bashkëpunëtorët e tij.
Ata treguan një fotografi të Karaxhiç me flokë e mjekër të bardhë. Ai punonte në një klinikë private, merrte me qera apartamente në Beograd dhe përdorte emrin Dragan Dabiç.
Megjithatë, avokati i Karaxhiç, Svetozar Vujaçiç tha se klienti i tij pohoi gjatë pyetjes se qe arrestuar të premten dhe qe mbajtur në "një apartament" deri të hënën. Avokati tha gjithashtu se Karaxhiç refuzonte të hante dhe mezi fliste.
Pas lajmit të arrestimit, Beogradi ishte i qetë ndonse disa dhjetra anëtarë të organizatave ultranacionaliste u mblodhën nëpër rrugë. Policia arrestoi disa nga të rinjtë më agresivë; të tjerët u larguan pas një proteste gjysmë-orëshe.
Partitë pro-perëndimore në Beograd përshëndetën kapjen e Karaxhiç dhe thanë se ajo ka shumë gjasa të përshpejtojë integrimin evropian të Serbisë dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit (SAA). BE dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në 29 prill por BE pastaj e pezulloi atë duke kërkuar bashkëpunimin e plotë të Beogradit me gjykatën e Hagës.
Përfqësuesit e Partisë ultra të djathtë Radikale Serbe e përshkruan arrestimin si një "ngjarje të tmerrshme" për Serbinë. Zyrtari i partisë Aleksandër Vuçiç tha se Serbia "është në udhën e zhdukjes", për shkak se me arrestimet e Karaxhiç dhe të paditurit tjetër Stojan Zupljanin muajin e fundit, presidenti serb Boris Tadiç ka nisur "t'i kthejë favorin" elementëve të komunitetit ndërkombëtar që "ndihmuan atë të fitonte zgjedhjet e përgjithëshme të majit".
Arrestimi i Karaxhiç ngazëlleu përfaqësuesit e BE, Shteteve të bashkuara dhe OKB, që e quajtën atë një ngjarje të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Serbisë. Shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana tha se ai kishte besim se kryeprokurori i gjykatës së Hagës do të arrinte tani në përfundimin se Beogradi po bashkëpunon plotësisht. Komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha se arrestimi "është një ngjarje kyçe në rrugën e Serbisë për në BE".
Sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki-mun e përshkroi atë si "një moment historik për viktimat që pritën 13 vjet që Karaxhiç të shkonte në drejtësi". Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino tha se kjo ngjarje provoi vendosmërinë e qeverisë së re të Serbisë për bashkëpuinimin e plotë me gjykatën e OKB. Ajo vuri në dukje gjithashtu kohën: arrestimi erdhi vetëm ditë pas ceremonisë përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në 1995.
Ndonse lëvizi me të shpejtë për të prishurt çdo trazirë në Beograd, ministria e brendëshme e distancoi veten nga arrestimi duke pohuar se nuk mori pjesë në operacion. Ministër i brendshëm është Ivica Daçiç, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), anëtari i dytë i fuqishëm i koalicionit. Megjithatë, kryetarja e parlamentit dhe nënkryetarja e SPS Slavica Gjukiç-Dejanoviç tha se Serbia duhet të kryejë detyrimet e saj ndërkombëtare.
Analistët thonë se arrestimi i Karaxhiç nuk do të cënojë stabilitetin e qeverisë, pavarësisht nga rezistenca e SPS për të ekstraduar të paditurit. Ata thonë se reagimi i shpejtë i njësiteve të policisë që frenoi trazirat e mundëshme demonstroi gjithashtu stabilitetin qeveritar.
Sipas ligjit serb, Haga mund ta marrë Karaxhiç në rreth një javë. Dy të paditur të tjerë, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, mbeten të lirë.