18/07/2008
Një raport i sapodalë nga një ekspert i drejtësisë i Komisionit Evropian paralajmëron se lufta e Rumanisë kundër korrupsionit mund të bjerë në nivelin e vet të 2003.
Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht – 18/07/08
![]() t Adrian Nastase nuk ka përparuar, thotë raporti i këshilltarit të KE. [Getty Images] |
Lufta e Rumanisë ndaj korrupsionit po bën prapa në të gjitha frontet, thotë një raport i prokurorit belg Uilhelm de Pou, një këshilltar i shquar i Komisionit Evropian (KE) për luftën kundër korrupsionit. Raporti i cili u shkrua në nëntor 2007 por doli në dritë këtë muaj, paralajmëron se "në qoftë se përpjeket rumune të anti-korrupsionit vazhdojnë të shuhen me ritmin e tanishëm, Rumania do të kthehet ku ishte në 2003."
Raporti, i cituar nga The Economist, është kritika e fundit e përpjekjeve të autoriteteve rumune kundër korrupsionit, të cilat shumë i shohin si të ngadalësuara që kur vendi u bashkua me BE në janar 2007. Zgjatja e rasteve kundër ish kryeministrit Adrian Nastase dhe ish ministrit të transportit Miron Mitrea kanë zemëruar amabasadorët në Bukuresht.
Vendimet e fundit nga Gjykata Kushtetuese e vendit thonë se të gjitha hetimet e politikanëve të rangut të lartë kërkojnë miratim parlamentar. Nën këto vendime, parlamenti u dha mburojë dy ish zyrtarëve. "Masat e fundit shërbejnë vetëm për të rritur pengesat për të luftuar korrupsionin," tha ambasadori britanik Robin Barnet.
De Pou e goditi këtë mbrojtje si "pa logjikë". Ai thotë se një imunitet i tillë që dikur kishte për qëllim të prishte hetimet e motivuara politikisht, nuk justifikohet më për ish ministrat.
"Shumë nga masat që u paraqitën përpara pranimit, për të qenë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit janë topitur qëllimisht nga parlamenti apo nga qeveria menjëherë pas pranimit," thotë raporti i de Pou.
Nastase shkruan në blogun e tij se lëshimi i këtij raporti tetë muaj pasi është shkruar kishte për qëllim të "[manipulonte] opinionin publik duke fajësuar krejt klasën politike dhe gjykatësit që janë kundër [përpjekjeve] anti-korrupsion dhe nuk i binden direktivave të presidentit Traina Bashesku, që guxojnë të hedhin dyshime mbi reformat e pretenduara të futura nga Monika Makovei dhe që refuzojnë t'u nënshtrohen akteve proceduriale të hartuara nga prokurorët presidencialë".
Raporti Global i Korrupsionit 2008 nga Transparency International gjithashtu vinte në dukje se "megjithë veprimtarinë intensive ...të Departamentit të Anti-korrupsionit, sistemi gjyqësor nuk ka prodhuar ende dënime në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë" dhe theksonte se "praktika aktuale ka qenë për të dhënë një numër dënimesh të pezulluara në gjyqet e mëdha të korrupsionit."
Raporti i ri i KE për përparimin e drejtësisë së Bullgarisë dhe Rumanisë do të dalë javën e ardhëshme. Në shkurt, raportet e brendëshme denoncuan të dy vendet për nivelin e lartë të korrupsionit, por toni ishte më pak i ashpër. Burimet thonë se dokumenti javën tjetër do të jetë shumë më agresiv rreth mungesës së përparimit në të dy vendet, duke çuar ndoshta në një tërheqje të financimit të BE.