15/07/2008
Mijra të përzishëm u dyndën në Srebrenicë, 13 vjet pas vrasjeve masive të burrave boshnjakë që Haga i karakterizoi si genocid.
Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 15/07/08
![]() Të shpëtuarit dhe të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës në 1995, ndjekin ceremoninë përkujtimore në Potocari të premten (11 korrik). [Getty Images] |
Rreth 40.000 të përzishëm u mblodhën në qendrën përkujtimore në Potocari pranë Srebrenicës të premten (11 korrik) për të shënuar 13 vjetorin e e mizorisë më të keqe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ata po përkujtonin vrasjet sistematike të mijra djemve e burrave muslimanë boshnjakë nga forcat e Republika Srpska nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç, tashmë një i paditur i arratisur për krime lufte.
Në këtë përvjetor, u rivarrosën 308 trupa të identifikuar rishtazi, duke e shpënë numrin e të vdekurve të njohur në mbi 8,000. Ato përfshijnë trupin e 15 vjeçarit Kasim Omeroviç, nëna e të cilit ndoqi ceremoninë.
"Fakti që në 11 korrik 1995...njerëzit u vranë vetëm se qenë muslimanë shkaktoi habi midis nesh sepse nuk mund të besojmë se diçka e tillë mund të ndodhte në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore," tha kreu i komunitetit islamik të BiH, Reis-ul-Ulema Mustafa Ceriç. Ai i kërkoi BE të deklarojë 11 korrikun ditë evropiane të zisë, në të cilën kontinenti do të zotohet të mos lejojë kurrë "një tjetër Holokaust apo genocid".
Përpara vetë përkujtimit, u bë një Marshim i Paqes 100 km i gjatë në Srebrenicë, duke nisur nga qyteti Nezuk, nëpër të cilin disa të mbijetuar të Srebrenicës ja dolën të dilnin në territorin e kontrolluar nga ushtria boshnjake. Marshi i Paqes është bërë disa vite, duke marrë një karakter ndërkombëtar me çdo vit që shkon. Shtetas të shumë vendeve të tjera qenë këtë herë midis 2,500 pjesëmarrësve.
Ambasadori i SHBA në BiH Charles English u bashkua me ta për një pjesë të shkurtër. Në vërejtjet e shkurtra që fituan duartrokitjet e marshuesve, ai tha: "Genocidi ndodhi këtu. Ky fakt nuk mund të minimizohet; atij nuk mund t'i bëhet bisht dhe nuk duhet të mohohet."
Ekipet e posaçme kanë ndeshur probleme të shumta në përcaktimin dhe identifikimin e mbetjeve të viktimave, pasi vrasësit i shpërndanë ato për t'i bërë bisht zbulimit. Për shembull, kërkuesit gjetën mbetjet e një viktime, Sadik Ori, në Sremska Mitrovica, Serbi, disa qindra kilometra nga Srebrenica, në Vojvodinë.
Këshilli i ministrave i BiH e shpalli 11 korrikun një ditë zije për gjithë vendin, duke përfshirë njësitë e veta dhe distriktin e Brcko. Megjithatë, Republika Srpska e hodhi poshtë dekretin dhe refuzoi të ulë flamujt e saj. Kryeministri i RS Milorad Dodik tha se nuk ishte i interesuar në vendimin e presidencës tre-palëshe të BiH apo të këshillit të ministrave.
"Vuajtjet e serbëve në dhe rreth Srebrenicës gjatë atyre tre viteve nuk qenë në asnjë mënyrë më të pakta," shtoi Dodik në përgjigje të lirimit të fundit nga gjykata e Hagës të ish komandantit ushtarak boshnjak Naser Oriç. Dënimi i tij fillestar u përmbys këtë muaj në apel.
Megjithatë, çdo vit gjithnjë e më tepër njerëz vijnë në Potocari për të kujtuar Srebrenicën. Midis tyre janë anëtaret e Grave në të Zeza, që thonë se Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet dhe të ekstradojë në Hagë të paditurit Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç.