14/07/2008
I liruar nga gjykata e Hagës, ish ministri i brendshëm Ljube Boshkovski mori një pritje prej heroi në Shkup. Avokatët për Johan Tarkulovskin, një oficer policie, njoftuan një apel për dënimin e tij 12 vjeçar.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 14/07/08
![]() Ish ministri i brendshëm Ljube Boshkovski flet me përkrahësit në fundjavë. [Tomislav Georgiev] |
Ish ministri i brendshëm Ljube Boshkovski i paditur nga Haga për përgjegjësi të dyshuar të komandës për krimet e luftës, fitoi lirimin nga të gjitha akuzat në 10 korrik. Megjithatë, bashkë i pandehuri Johan Tarkulovski, një oficer policie i rangut të ulët, u dënua me 12 vjet burg për vrasjen e tre vetëve në fshatin Ljuboten gjatë konfliktit të 2001 në Maqedoni.
Pas lirimit të tij, Boshkovski gëzoi një pritje heroi në Maqedoni. Delegacioni që e përshëndeti atë në aeroportin e Shkupit përfshinte kryeministrin Nikola Gruevski, një numër zyrtarësh të rangut të lartë, pasues të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE dhe anëtarë të ish njësisë policore Lavovi (Luanët).
Pasi bëri tre vjet e gjysmë burg, Boshkovski puthi truallin dhe mori bekimin fetar.
Ai u tha përkrahësve: "Ju përshëndes ju, jo vetëm maqedonasit etnikë por vëllezërit e mij shqiptarë, romë, turq, boshnjakë dhe serbë, gjithsecilin që është gati të rrojë e të vdesë për Maqedoninë. Në këtë moment ne duhet të falim njeri tjetrin në vend që të përhapim urrejtjen."
Qeveria shprehu kënaqësi me lirimin e Boshkovskit dhe kishte shpresë se Tarkulovski do të kishte një shans të paraqiste fakte në rastin e vet. Avokati i Tarkulovskit njoftoi se ai do të apelonte dënimin e klientit të tij.
Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI), një parti e dalë nga ish Ushtria Kombëtare Shqiptare e Çlirimit (UÇK), një pjesëmarrëse në konfliktin e 2001 dhe tani pjesë e qeverisë së formuar nga Gruevski, nuk reagoi zyrtarisht ndaj lirimit të Boshkovskit.
Në përputhje me parimet e tyre të moskomentimit të vendimeve gjyqësore, BE dhe NATO, garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, nuk thanë gjë.
Sipas prokurorëve, gjatë bastisjes së Ljubotenit, policia rrahu brutalisht fshatarët shqiptarë me kondakët e pushkëve apo copa të drurëve të djegur. Gjykata bëri përgjegjës Tarkulovskin për tre nga shtatë vrasjet e raportuara.
"Tarkulovski personalisht drejtoi operacionin dhe ishte me policinë ndërsa ajo lëvizte nëpër fshat," tha gjykatësi Kevin Parker.
Tarkulovski ka qenë relativisht një oficer më i ulët dhe vepronte sipas urdhërave, por Parker vendosi: "Kjo nuk e justifikon sjelljen tuaj."
Gjykata e liroi Boshkovskin nga faji. Prokurorët u përpoqën të bindin gjykatën se Boshkovski ishte përgjegjës për mosndëshkimin e policëve fajtorë.
"Nuk është përcaktuar se Boshkovski dështoi të marrë masat e duhura dhe të arsyeshme për të ndëshkuar policët," vendosi Parker.