Maqedonia do të përqëndrohet në integrimin evro-atllantik dhe stabilitetin rajonal

11/07/2008

Pranimi në NATO i Maqedonisë është pjesë e angazhimit të Aleancës në rajon, i tha ministri i jashtëm Antonio Milososki bashkëpunëtorit të Southeast European Times, Goran Trajkov.

Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup – 11/07/08

photo

Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milososki. [Tomislav Georgiev]

Southeast European Times: Cilat janë shanset e Maqedonisë për t'u bërë shpejt një anëtare e NATO-s?

Ministri i jashtëm Antonio Milososki: Edhe përpara samitit të Bukureshtit, të gjithë vendet e NATO-s, me përjashtim të një, kishin konfirmuar qartë se Maqedonia kishte përmbushur të gjitha kriteret e duhura për anëtarësimin në Aleancë. Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë u shty për shkak të pengimit nga Greqia, që për fat të keq është një shpërdorim i anëtarësimit të saj në NATO në dëm të besueshmërisë dhe interesave të përbashkëta të Aleancës.

Megjithatë, NATO është një organizatë që ka një strategji integrimi. Prandaj, politika e bllokimit të zgjerimit të NATO-s nuk është e qëndrueshme në afat të gjatë, pavarësisht nga motivi i saj i paramenduar. Kështu që integrimi i Maqedonisë në NATO është jo vetëm i mundshëm por gjithashtu një angazhim strategjik i Aleancës në krahun juglindor të Evropës.

SETimes: Mosmarrëveshja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë ka zgjatur me vite. Shihni ju se mosmarrëveshja do të përfundojë shpejt dhe në çfar drejtimi mendoni se duhet të shkojnë negociatat?

Milososki: Kundërshtimi i emrit të Maqedonisë [merr] rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare [kur] një vend më i madh, i tillë si Greqia, diskuton të drejtën e vetëvendosjes kombëtare të një vendi më të vogël paqësor, siç është Maqedonia. Qëndrimet e Greqisë lidhur me këtë mosmarrëveshje emri dalin jashtë parimeve demokratike dhe prandaj e pengojnë një [zgjidhje].

Përveç kësaj, kjo mosmarrëveshje është përbërë nga frika irracionale e disa politikanëve grekë rreth pakicave etnike, një çështje që shkon kundër strategjisë së shtetit për një komb puro grek. Pikërisht, unë do t'i referohem qëndrimit të ish kryeministrit të Greqisë, [Konstandin] Micotaqis, i cili në parathënien e Në Emrin e Maqedonisë, nga këshilltari i tij politik Theodoros Skylakakis, thotë se ai nuk do të merakosej rreth emrit të vendit...por merakosej nga mundësia që mund të hapej çështja e një pakice të re.

SETimes: Cili është opinioni juaj mbi zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit? Si i vlerësoni ju ato?

Milososki: Zgjedhjet në Maqedoni në [1 qeshor] treguan dy veçori të mëdha: një të vjetër dhe një të re. E vjetra është se një grup i vogël individësh apo grupesh ende besojnë se përfitimi politik mund të arrihet nëpërmjet parregullsive. Por institucionet shtetërore reaguan kudo ku kishte prova dhe ne presim që pas procedurave të gjykatës, këta persona do të ndëshkohen në përputhje me ligjin.

Veçoria e re e këtyre zgjedhjeve është se për herë të parë, shtetasit maqedonas votuan për ndryshimin: ata mbështetën politikat e qeverisë në pushtet. Ky është një atribut i ri i këtyre zgjedhjeve.

SETimes: Do të ketë ndryshime në politikën e jashtme maqedonase në katër vitet e ardhëshme?

Milososki: Politika e jashtme maqedonase është bazuar në një konsensus të gjerë politik, ndër-etnik dhe social dhe ajo do të mbetet në këtë rrjedhë. Objektivi ynë është integrimi evro-atllantik i vendit dhe bashkëpunimi me fqinjët tanë, që synon në stabilitetin e rajonit, si edhe një kontribut aktiv në misionet paqësore të kryesuara nga NATO.

SETimes: Prisni ju që Maqedonia do të marrë një datë për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE deri nga fundi i vitit?

Milososki: Maqedonia iështë gati të përmbushë kriteret e Komisionit Evropian për marjen e një date për nisjen e negociatave deri nga fundi i këtij viti. Vendi ka agtësitë si politike dhe administrative të hyjë në negociatat e anëtarësimit në BE. Ne jemi të ndërgjegjshëm se negociatat nuk janë një proces i lehtë apo i shkurtër.

Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera nga ish Jugosllavia, të tilla si Sllovenia, e cila tashmë është një anëtare e BE, dhe Kroacia, e cila është në rrjedhë të negociatave, do të jenë mjaft të dobishme për ne pasi sistemet tona politike, ekonomike e administrative kanë shumë ngjashmëri.

SETimes: Çdo të thotë për të ardhmen e Maqedonisë marrëveshja e ndërsjelltë midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara, e nënshkruar pas samitit të NATO-s në prill?

Milososki: Dokumenti për Partneritetin Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë është një konfirmim i bashkëpunimit tonë të gjatë dhe besimit të ndërsjelltë dhe ai vë një bazë solide për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjellta në disa fusha.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading