Shqipëria dhe Kroacia nënshkruajnë protokollin e NATO-s

10/07/2008

Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan të mërkurën marrëveshjet e tyre të anëtarësimit në NATO duke hapur rrugën për hyrjen e pritur të të dy vendeve në aleancë vitin tjetër.

Nga Manjola Hala dhe Ivo Shçepanoviç për Southeast European Times në Tiranë dhe Zagreb -- 10/07/08

photo

[Deutsche Welle]

Përfaqësuesit nga Kroacia dhe Shqipëria qenë në Bruksel të mërkurën (9 korrik) për të nënshkruar protokollin e anëtarësimit në NATO për vendet e tyre. Ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe ministri kroat i punëve të jashtme Gordan Jandrokoviç nënshkruan dokumentin që hap rrugën për pranimin e vendeve në Aleancë. Të dy ato do të fitojnë anëtarësimin e plotë sapo parlamentet e 26 anëtarëve aktualë të Aleancës të miratojnë hyrjen e tyre.

Pas nënshkrimit, Basha tha se Shqipëria do të marrë të gjitha përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në NATO. "Unë po ju sjell ju angazhimin e qeverisë, politikanëve dhe popullit shqiptar për të vazhduar reformat për të konsoliduar institucionet demokratike dhe rendin e e ligjit," tha Basha në ceremoninë në Bruksel.

"Me Shqipërinë dhe Kroacinë pranë anëtarësimit në NATO, rajoni është më i siguruar se kurrë. Vazhdimësia e politikës së NATO-s do të japë një mesazh të fortë për vendet e tjera në rajon," shtoi ai.

Shqipëria i bashkohet konceptit strategjik të NATO-s për sigurimin dhe mbrojtjen, synon të bëhet pjesë e plotë e strukturave ushtarake dhe e sistemit kolektiv të mbrojtjes së Aleancës dhe do të angazhojë aftësitë e saj të jetë pjesë e kësaj, sipas një letre që Basha i dërgoi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, përpara nënshkrimit.

Basha tha se duke u bërë një anëtar i Aleancës, Shqipëria bën një investim historik për të ardhmen e sigurisë së saj. Ai vuri në dukje se Shqipëria përmbushi çdo detyrim drejt anëtarësimit dhe po kryen reformat nëpërmjet konsensusit.

Jandrokoviç, i cili gjithashtu i dërgoi një letër de Hoop Scheffer të martën, tha se bashkimi me Aleancën do të rriste sigurinë e Kroacisë dhe të aleatëve të saj të rinj në zonën Evro-Atllantike.

''Nënshkrimi i protokollit të anëtarësimit në NATO ishte një moment historik për Kroacinë. Duke nisur nga sot, Kroacia do të marrë pjesë në pothuajse çdo komitet të NATO-s dhe në veprimtaritë e tjera të organizatës," tha Jandrokoviç. "Me anëtarët e NATO-s ne ndajmë demokracinë, një treg të lirë, të drejtat e njeriut dhe rendin e ligjit."

Jandrokoviç tha se ai shpreson se procesi i ratifikimit do të kompletohet në kohë, "kështu që Kroacia mund të merrte pjesë si një anëtar i plotë në samitin e ardhshëm të NATO-s në pranverën e vitit 2009, në Strasburg."

Ka patur, megjithatë zëra se disa grupe në Slloveni mund të përdorin fushatën zgjedhore atje për të vonuar ratifikimin nga vendi të anëtarësimit kroat.

Megjithatë, qeveria sllovene nuk i kundërvihet më anëtarësimit të Kroacisë pas pezullimit nga qeveria kroate të zonës së mbrojtur të peshkimit.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading