10/07/2008
Persona të armatosur sulmuan konsullatën e SHBA në Stamboll, duke shkaktuar një përleshje vdekjeprurëse. Tre prej tyre dhe tre policë mbetën të vrarë.
Nga Ahmet Gormez për Southeast European Times në Stamboll -- 10/07/08
![]() Një ekspert forensik turk inspekton skenën përpara konsullatës së SHBA në Stamboll pas sulmit të së mërkurës (9 korrik). [Getty Images] |
Sulmuesit e dyshuar me lidhje me al-Kaedën hapën zjarr mbi konsullatën e SHBA në pikën e kontrollit policor, në Stamboll, të mërkurën (9 korrik) rreth orës 11 AM. Policët turq që ruanin misionin ju përgjigjën zjarrit të ndihmuar nga dy policë trafiku. Këta dy të fundit dhe një polic në vendkontroll mbetën të vrarë. Policët vranë tre nga sulmuesit gjatë përleshjes që thuhet se zgjati pesë-gjashtë minuta.
Guvernatori i Stambollit Muamer Guler tha se qenë katër sulmues. Zjarri i policëve vrau tre nga ta por i katërti mundi të shpëtojë në një makinë gri. Guler tha se dy nga tre sulmuesit e vrarë qenë shtetas turq ndërsa identiteti i të tretit mbetet i pavendosur.
Guler identifikoi hyrjen e synuar si një të tillë për kërkim vizash, duke thënë se nga që konsullata ka siguri të fortë, terroristët goditën duke ditur se nuk mund të hynin dot.
Policia turke dyshon për një lidhje të al-Kaedës me sulmin, raportoi media turke. Sipas së përditshmes Sabah tre sulmuesit kishin lidhje me degën afgane të al-Kaedës, e cila u bë e njohur për bombat e trenit në Madrid në 2004.
E përditshmja turke Milliyet raportoi se sulmuesit e armatosur ndoshta planifikonin të iknin me të shpejtë por dy policët e trafikut bllokuan rrugën e ikjes dhe përcaktuan fatin e tyre duke i ardhur në ndihmë pikës së kontrollit.
Sipas korrespondentit të Agjensisë së lajmeve Dogan, Gokhan Danaçi, që kqyri regjistrimin e kamerës së sigurisë, terroristët dolën nga një parking pranë konsullatës. Ata kërcyen nga makina, duke shtënë mbi policët e trafikut dhe vrapuan rreth 50 metra për tek pika e kontrollit.
Enis Jilmaz, një dëshmitar, tha: "Pamë një makinë të ecte, pastaj dëgjuam të shtënat." Një tjetër dëshmitar, Husein Tuzmen, tha: " Unë hyra në një frigorifer nga frika."
Ministria e jashtme turke e dënoi me forcë sulmin. Thuhet se Ankaraja ka rritur masat e sigurisë për misionet e SHBA dhe personelin e tyre.
Ross Wilson, ambasadori i SHBA në Turqi, denoncoi "aktin e dukshëm terrorist" që synonte Shtetet e Bashkuara.
"Personat që humbën jetën e tyre janë shtetas turq dhe ne na vjen shumë keq për këtë," u tha Ross Wilson gazetarëve në Ankara. " Ne nuk do të pengohemi në asnjë mënyrë nga terroristët që kërkojnë të na godasin ne apo marrëdhëniet SHBA-Turqi."
"Policia turke reagoi shpejt dhe efektivisht. Ne jemi thellësisht mirënjohës për punën që ata bëjnë për të mbrojtur institucionet e qeverisë së SHBA këtu," tha Wilson. "Është natyrisht e papërshtatshme tani të thuash se kush mund ta ketë bërë këtë dhe pse... Vendet tona do të qëndrojnë së bashku dhe do ta përballojnë këtë, siç kemi bërë në të kaluarën."
Sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs pritet të takohet me ministrin e jashtëm Ali Babaçan lidhur me sulmin.
"Patjetër, para së gjithash Shtetet e Bashkuara pikëllohet thellë për humbjen e jetëve dhe ngushëllimet tona shkojnë tek familjet e atyre që u vranë," tha Rajs të mërkurën. "Unë di që disa policë qenë midis të vrarëve dhe ne çmojmë shumë atë që ishte qartazi një reagim i duhur shumë i shpejtë nga qeveria në përpjekjen për të trajtuar situatën e sigurisë përpara konsullatës sonë."
Megjithë zërat për të kundërtën, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan u nis për një vizitë zyrtare në Irak të mërkurën. Deri në minutën e fundit qe e pasigurtë në se Erdogan do të nisej: ministri i shtetit Beshir Atalaj njoftoi më parë se hetimi në vazhdim i sulmit dhe nevoja për të marrë pjesë në funeralet e policëve do ta mbanin atë dhe Erdogan nga shkuarja në Irak.
Në Bagdad, Erdogan pritet të takojë zyrtarët e lartë të Irakut, duke përfshirë presidentin Xhalal Talabani dhe kryeministrin Nuri al-Maliki.