Në rritje perspektivat e Kroacisë për anëtarësimin në BE

09/07/2008

Samiti 2008 i Kroacisë në Dubrovnik gëzoi mbrojtësit e anëtarësimit në BE të vendit.

Nga Ivo Shçepanoviç për Southeast European Times në Zagreb -- 09/07/08

photo

Dubrovniku priti Samitin e Kroacisë 2008. [Getty Images]

Optimizmi i lëkundur rreth perspektivave të Kroacisë në Be pas kundërshtimit irlandez të Traktatit të Lisbonës mori një nxitje aq të duhur në Samitin e Kroacisë 2008 fundjavën e shkuar. Kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Sllovakisë si dhe presidenti gjeorgjian Mihail Saakashvili, u mblodhën në Dubrovnik për veprimtarinë e rëndësishme.

"Kroacia do të kompletojë pjesën teknike të negociatave deri në fund të 2009; megjithatë duhet një tjetër vit për ratifikimin dhe bashkimin me BE," tha Dejvid Dejli, kreu i departamentit të Kroacisë në administratën e përgjithëshme të Komisionit Evropian.

"Ka ende kohë të gjendet një zgjidhje për problemet e shkaktuara nga Traktati i Lisbonës. Kroacia nuk duhet të ngatërrohet në udhën e vet evropiane," vuri në dukje Dejli i cili u kujtoi gjithashtu zyrtarëve kroatë rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fjalët e tij u përshëndetën nga zyrtarët kroatë në konferencë, të cilët u përqëndruan në perspektivat e BE për rajonin dhe çështje të lidhura me sigurinë, përparimin dhe begatinë.

"Kroacia nuk u shkurajua nga dështimi i disa vendeve anëtare të BE për të miratuar Traktatin e Lisbonës. BE gjen kurdoherë zgjidhje për problemet serioze, kështu që unë besoj se do të bëjë gjithashtu këtë herë...jo vetëm për anëtarët e rinj por për veten," tha kryeministri kroat Ivo Sanader.

Sanader tha gjithashtu se vendet e Evropës Juglindore kanë të drejtën të arrijnë objektivat e tyre dhe se integrimi në BE i rajonit është me interes të përbashkët për BE dhe Ballkanin.

''Jam i sigurtë se të gjithë 27 vendet do të pranojnë Traktatin e Lisbonës. Unë gjithashtu shpresoj se kjo do të ndodhë gjatë procesit të negociatave të Kroacisë," shtoi Sanader.

Konferenca mblodhi gjithashtu përfaqësues nga 30 vende të tjera, duke përfshirë ato nga BE dhe NATO. Një numër të ftuarish të rangut të lartë pohuan se zgjerimi i BE nuk duhet të lidhet drejtpërsëdrejti me Traktatin e Lisbonës.

"Zgjerimi i BE mund të vazhdojë edhe pa Traktatin e Lisbonës. Kjo është një çështje e vullnetit politik dhe jo një çështje legale. Kroacia nuk ka fare pse të ketë frikë sepse irlandezët nuk thanë jo për shkak të Ballkanit Perëndimor," tha nënkryeministri çek Aleksander Vondra . Ai shtoi gjithashtu se Kroacia nuk ka udhë tjetër veçse të bashkohet me BE.

Kryeministri sllovak Robert Fico pranoi se dalja nga binarët e Traktatit të Lisbonës nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kroacisë në BE. "BE duhet të jetë gati të pranojë Kroacinë sapo Zagrebi të përmbushë kriteret zyrtare të anëtarësimit," tha Fico.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading