08/07/2008
Pas një jave negociatash, VMRO-DPMNE njoftoi një koalicion të ri me partinë shqiptare etnike të Ali Ahmetit, Bashkimin Demokratik për Integrimin (BDI). Organizmat më të larta brenda VMRO-DPMNE miratuan paktin.
Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup -- 08/07/08
![]() Një koalicion i ri po përgatitet të marrë frenat në parlament. [Dosje] |
Drejtori i Qendrës së Komunikimit të VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski njoftoi në fundjavë se koalicioni Për një Maqedoni më të Mirë, i drejtuar nga VMRO-DPMNE, do të formojë një qeveri me Bashkimin Demokratik për Integrimin (BDI) dhe me Partinë për një të Ardhme Evropiane (PAE). Sipas Dimovskit, dy partitë rivale shqiptare, BDI dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) refuzuan të bashkëpunojnë.
Koalicioni i ri do të ketë 82 vende parlamentare duke siguruar më shumë se dy të tretat e shumicës dhe aftësinë për të kaluar ligjet vendimtare.
Vëzhguesit i shohin detyrat kryesore të qeverisë në ringjalljen e ofertës së anëtarësimit në NATO dhe fiksimin e një date për bisedimet e pranimit në BE.
BDI ra dakord të shtyjë integrimin e qytetit të Kiçevos me fshatrat e vet lokalë për katër vjet, një akt fillimisht i planifikuar për në mars 2009. "Të gjitha marrëveshjet qenë të pamundshme me [PDSH] për shkak të numrit të vogël të përfaqësuesve të saj në parlament, 11, në krahasim me BDI që ka 18," tha Dimovski.
"Kryeministri ka një të drejtë legjitime për të bërë një koalicion me partinë që ai zgjedh...Ne nuk ndjehemi të mundur. Ne do të operojmë si një opozitë konstruktive," tha sekretari i përgjithshëm i PDSH, Imer Aliu.
VMRO-DPMNE dhe BDI ranë dakord të vazhdojnë bisedimet mbi një ligj për gjuhën. BDI pranoi programin e VMRO-DPMNE, "Rilindja në 100 hapa", duke përfshirë qëndrimin e saj në mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë. Ato ranë dakord gjithashtu në shënimin e shpejtuar të kufirit me Kosovën në përputhje me planin e të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisaari.
Sipas paktit, BDI do të ketë pesë ministra, një nënkryeministër dhe tre zëvendës ministra. Kryeministri Nikola Gruevski tha se do t'i cilësojë ministrat e tij deri në fund të javës.
Ekspertët politikë thonë se një koalicion i suksesshëm do të prekte zgjedhjet e ardhshme presidenciale. "Po qe se koalicioni i ri funksionon mirë, në realitet kandidati presidencial i opozitës nuk do të kishte shumë shanse," tha analisti Dane Talevski.