Parlamenti serb miraton ngushtë qeverinë e re

08/07/2008

Qeveria e re serbe përparësia e së cilës do të jetë integrimi i shpejtë evropian fitoi miratimin parlamentar pas një debati 12-orësh

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 08/07/08

photo

Kryeministri i ri Mirko Cvetkoviç paraqet programin e tij në parlamentin serb të hënën (7 korrik) në Beograd. [Getty Images]

Qeveria e re serbe e cila fitoi miratimin parlamentar me një diferencë të vogël të hënën (7 korrik) do të përmbajë deri në shtatë parti dhe do të ketë 128 nga 250 vendet parlamentare. Kabineti fitoi 127 vota nga 164 deputetët që ndoqën sesionin; shumë anëtarë të opozitës qëndruan jashtë në protestë.

Kryesuese në kabinetin e ri do të jenë Partia Demokratike (DS) e presidentit Boris Tadiç dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS), të cilën e drejtoi deri në vdekjen e tij në mars 2006 ish presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç. Tadiç dhe kreu i SPS Ivica Daçiç thanë se shpejt do të shkruajnë një marrëveshje mbi pajtimin politik.

Zyrtari i DS dhe ish ministri i financave Mirko Cvetkoviç do të jetë kryeministri i ri.

Opozita do të përfshijë Partinë Demokratike të Serbisë të ish kryeministrit Vojislav Koshtunica dhe Partinë ekstreme të djathtë Radikale Serbe, që kanë së bashku 108 deputetë. Këto parti kanë qortuar kabinetin e ri për mungesën e pretenduar të një politike të qartë mbi Kosovën dhe për mosparaqitjen e projekteve konkrete ekonomike. Ato akuzojnë gjithashtu Cvetkoviç për qënien një figurë "e dobët" që do të lejojë një përqëndrim të pushtetit në duart e Tadiç.

Cvetkoviç tha në parlament se kabineti i tij do të përqëndrohet në të ardhmen evropiane të Serbisë, kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, forcimin e ekonomisë dhe përmbushjen e detyrimeve shoqërore të qeverisë dhe një goditje të fortë ndaj korrupsionit e krimit.

Një nga aktet e para të qeverisë së re do të jetë të dërgojë në parlament për ratifikim marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit me BE, tha ai, duke shtuar se Serbia synon të përftojë statusin e kandidatit të BE në fund të 2008 apo në krye të 2009.

Qeveria e re do të ketë 27 anëtarë, 24 nga të cilët do të drejtojnë ministritë, duke e bërë atë një nga më të mëdhatë në rajon. Daçiç i SPS do të jetë njëherësh nënkryeministër dhe ministër i brendshëm. Të tjerë anëtarë të SPS do të drejtojnë ministritë e infrastrukturës, energjisë dhe të arsimit. Slavica Gjukiç-Dejanoviç e SPS është kryetare e parlamentit.

Përveç koalicioneve të drejtuara nga DS dhe SPS, kabineti i ri do të gëzojë mbështetjen e gjashtë përfaqësuesve të pakicave hungareze e boshnjake në Serbi. Partia Liberal Demokratike e Opozitës që mban 13 vende në parlament ka njoftuar se do të mbështesë qeverinë vetëm në disa çështje, para së gjithash në arrestimin e tre të paditurve të mbetur të ICTY dhe futjen e vendit në BE.

Shumë analistë të Beogradit thonë se nga që kabineti i ri përbëhet nga shumë parti të ndryshme, do të jetë e vështirë të harmonizohen të gjitha kërkesat e tyre. Arrestimi i të paditurve të mbetur të gjykatës së Hagës dhe gjetja e një qëndrimi të përbashkët ndaj Kosovës e cila shpalli pavarësinë nga Beogradi në 17 shkurt, do të jenë sfidat më të mëdha për qeverinë e re, thonë ata.

Ekonomistët serbë kanë thënë se planet "ambicioze" të Cvetkoviç kërkojnë një politikë të shtrënguar monetare, zbatimin e reformave dhe shoqërimin me BE.

Sipas sondazheve, serbët mbi të gjitha presin që qeveria e re të sigurojë jetë më të mira, punë të reja dhe paga më të larta.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading