27/06/2008
Duke përfunduar takimin e tyre dy-ditor në Sarajevë, drejtorët politikë të Bordit Drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes thekjsuan se vetëm përmbushja e plotë e objektivave dhe kushteve të rëna dakord mund të përfundojë mandatin e OHR në BiH.
Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë -- 27/06/08
![]() Kryeministri i BiH Nikola Spiriç tha "ata që kërkojnë për praninë e mëtejshme të OHR në BiH nuk e njohin besueshmërinë e institucioneve vendase." [Getty Images] |
Drejtorët politikë të bordit drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC) në Sarajevë vendosën këtë javë në Sarajevë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) do të mbetet në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) deri sa vendi të përmbushë të pesë objektivat dhe dy kushtet e vëna në takimin e PIC të 27 shkurtit në Bruksel.
Duke përfunduar sesionin e tyre dy-ditor të mërkurën (25 qershor) në Sarajevë, drejtorët politikë theksuan se nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) dy javë më parë përmbushi të parën nga dy kushtet për kalimin e OHR në Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian (EUSR). Megjithatë, në një komunikatë të përbashkët, ata u kërkuan krerëve politikë në BiH të përmbushin kriteret e tjera.
Lidhur me këtë, qeveria duhet të zgjidhë problemin e pronës shtetërore dhe të pronës në zotërim të ushtrisë. Ajo duhet ende të përcaktojë ligjërisht statusin e distriktit të Brcko për të kompletuar Vendimin Final të Brcko. Lidhur me qëndrueshmërinë fiskale, është një domosdoshmëri ngritja e Këshillit Fiskal. Qeveria duhet të miratojë më tej një politikë kombëtare për krimet e luftës për të forcuar rendin e ligjit.
Bordi drejtues i PIC përsëriti gjithashtu nevojën e qeverisë për të përmbushur kushtin e dytë, marrjen e një vlerësimi pozitiv nga PIC për situatën në BiH duke ju bindur plotësisht Marrëveshjes së Dejtonit dhe shmangies së çfardo akteve nxitëse.
Delegacioni rus refuzoi të nënshkruajë komunikatën pasi insistonte në vendosjen e një date për dhënien fund të mandatit të OHR.
"Anëtarët e tjerë të PIC nuk mund të pranonin kërkesën [ruse] pasi ajo do të shkonte kundër krejt filosofisë e cila bazohet në rezultatet dhe jo në kohën," tha më pas Përfaqësuesi i lartë Miroslav Lajçak.
Disa autoritete megjithatë, po kërkojnë dhënien fund menjëherë të OHR. Kryeministri Nikola Spiriç tha në takimin e PIC se "ata që kërkojnë për praninë e mëtejshme të OHR në BiH nuk e njohin besueshmërinë e institucioneve vendase."
Anëtari i presidencës së BiH, Haris Silajxhiç, kreu i Partisë për BiH, theksoi se shumica e krerëve të partive që ndoqën takimin qenë kundër mbarimit të OHR në këtë kohë. Anëtarët e PIC dhe përfaqësuesit e institucioneve të BiH njëzëri thonë se reforma kushtetuese është e domosdoshme dhe se veprimtari të tilla do të nisin pas zgjedhjeve lokale në tetor.
"Megjithatë, unë nuk favorizoj lidhjen artificiale të mandatit të OHR me kushtetutën e re," theksoi Lajçak. Ai tha se takimi tjetër i drejtorëve politikë të PIC do të mbahet në Sarajevë në nëntor.