25/06/2008
"Vdekja e tij është një humbje e madhe për muzikën dhe unë nuk jam i sigurt se brezat më të rinj do të këndojnë siç këndonte ai," tha kolegu i tij muzikant Kreshimir Tomec për Shaban Bajramoviçin e vdekur.
Nga Davor Konjikushiç për Southeast European Times në Beograd -- 25/06/08
![]() Shaban Bajramoviç vdiq më parë këtë muaj. [Dosje] |
"Mbreti i muzikës rome", 72 vjeçari Shaban Bajramoviç vdiq nga një goditje zemre në 8 qershor në Nish. Gjatë karierës së tij të famshme jo vetëm në Ballkan po gjithashtu në mbarë botën, Bajramoviç regjistroi 20 albume, nxorri rreth 50 CD "single" dhe aranxhoi më tepër se 700 këngë. Për më tepër se 20 vjet, ai ishte kryesori për grupin Black Mamba. Ai luajti gjithashtu në disa filma.
Kariera e tij muzikore filloi pasi ai ra në burg për dezertimin nga ushtria jugosllave, për hatër të një vajze. Një gjykatë ushtarake e dënoi atë fillimisht me tre vjet burg. Pasi ai i tha gjykatës se ishte kundër çdo dënimi, ajo ja rriti dënimin në pesë vjet e gjysmë.
Mbyllur në Goli Otok, një ishull në detin Adriatik që mbante shumicën e kundërshtarëve politikë të kohës së Titos, Bajramoviç u bashkua me orkestrën e burgut. Ajo luante këngë bërë të famshme nga Frenk Sinatra e Xhon Koltrejn, mes të tjerësh. Bajramoviç, më pas e quajti burgun "universitetin e jetës" së tij, duke thënë se atje ai mësoi gjithashtu të lexojë e të shkruajë. Pas daljes nga burgu, ai nxorri regjistrimin e tij të parë në 1964.
Megjithë karierën e tij të gjatë e të shquar, Bajramoviç pati kohra të vështira. Kur publiku zbuloi se ai ishte dhe i sëmurë dhe në skamje në pleqëri, ministri i punës dhe politikës sociale Rasim Ljajiç garaqntoi se ai mori ndihmë qeveritare. Në fillim të qershorit Bajramoviç u tha gazetarëve, "Askush nuk vjen në derën time apo të telefonojë e të më pyesë si jam." Në fund, ai jetonte në një lagje rome pranë Nishit.
Në funeralin e tij në 11 qershor, në rreth 10,000 zijtarët pjesëmarrës përfshihej presidenti Boris Tadiç, ish kryeministri Zoran Zhivkoviç dhe regjisori i filmit Goran Paskaljeviç. Përfaqësuesit e Festivalit të Xhazit Nishvill nxorrën një nismë për t'i vënë një prej rrugëve të Nishit emrin e tij.
Kolegët muzikantë i bënë atij respekte. "Vdekja e Shabanit është një tjetër shans për të përsiatur rreth problemit rom në Ballkan, por në të njëjtën kohë, kjo është vdekja e një njeriu të madh që i qëndroi besnik mënyrës së tij unike të jetës...Ky është një moment kyç për të nderuar romët që kanë ruajtur traditën e tyre muzikore," i tha Southeast European Times, Bojan Gjorgjeviç, drejtori i festivalit muzikor Ring Ring dhe menazher i orkestrës Boban Markoviç.
Cubismo, një grup kroat, ka dhënë shfaqje me të disa herë. "Vdekja e tij është një humbje e madhe për muzikën dhe unë nuk jam i sigurt se brezat më të rinj do të këndojnë siç këndonte ai," tha pjesëtari i grupit Kreshimir Tomec.