20/06/2008
Duke shprehur mbështetje ndaj përpjekjeve për të ribashkuar Qipron, BE miratoi disa masa këtë javë për të lehtësuar tregtinë në ishullin e ndarë dhe për të zbutur kështu izolimin ekonomik të komunitetit turk qipriot.
(AP, Reuters, Cyprus Mail - 19/06/08; AFP, AP, DPA, CNA, UN News Centre - 18/06/08; Cyprus Mail, Zaman, Anadolu Agency – 19/06/08; Hurriyet - 17/06/08, 20/06/08; AP, AFP, EU - 16/06/08; European Commission - 10/04/08)
![]() Presidenti qipriot Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat u takuan muajin e fundit. [Getty Images] |
Ministrat e jashtëm të BE miratuan këtë javë masa për të lehtësuar tregtinë midis komuniteteve greke qipriote e turke qipriote, duke kërkuar të ndihmojnë dhënien fund të ndarjes 34 vjeçare të Qipros.
Një deklaratë e dalë pas takimit të ministrave në Luksemburg thoshte se ata kërkuan, duke amenduar rregullat që aplikohen ndaj tregtisë dhe udhëtimeve përtej "vijës së gjelbërt" të ishullit, të zgjerojnë "tregtinë dhe integrimin ekonomik" të tij.
Komisioni Evropian (KE) propozoi ndryshimet në rregulloren e Vijës së Gjelbërt të prillit 2004, rreth dy muaj më parë. Tre masa kyçe përfshijnë një heqje të përgjithëshme të detyrimeve mbi prodhimet bujqësore nga veriu turk qipriot në qoftë se ato tregtohen në jugun nën kontrollin grek.
Një tjetër masë lejon futjen e mallrave nga veriu turk qipriot në jugun grek qipriot për deri në gjashtë muaj.
Më tutje, individët mund të mbajnë tani në valixhet e tyre 260 euro vlerë mallrash dhe jo 135 euro që ishte, kur kalojnë vijën, një rritje që ka për qëllim të ndihmojë dyqanxhinjtë turq qipriotë.
Ministrat e jashtëm të BE shprehën shpresë se masat e reja do të "kontribuonin për një klimë të favorshme në ishull, do të lehtësonin kalimin e personave përtej vijës dhe do të mbështesnin" procesin e paqes në vijim.
Vijat etnike e kanë ndarë Qipron që nga 1974 kur trupat turke pushtuan veriun e ishullit për të frenuar një grusht të shkurtër shteti të mbështetur nga Athina për t'u bashkuar me Greqinë.
Një nismë e mbështetur nga OKB për ribashkimin dështoi më së shumti midis votuesve grekë qipriotë në prill 2004. Ndërsa shumica e turqve qipriotë e mbështetën planin, përfundimisht vetëm pjesa e njohur greke e ishullit u bashkua me BE në maj. Republikën ekonomikisht të izoluar Turke të Qipros Veriore, e njeh vetëm Ankaraja.
Shpresat për ribashkimin u ringjallën në mars, kur presidenti i sapo zgjedhur atë kohë, i Qipros, Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat ranë dakord të nisnin përgatitjet për fillimin e bisedimeve të reja të paqes me mbështetjen e OKB.
Një tërësi prej 13 grupesh pune dhe komitetesh teknike filluan në prill të hedhin bazat për bisedimet.
Kristofias dhe Talat u takuan në 23 maj për të shqyrtuar përparimin. U bë e qartë atëhere se grupeve të përqëndruara në çështjet e mprehta të të drejtave të pronës, sigurisë dhe rregullimeve të ndarjes së pushtetit, do t'u duhej më tepër kohë. Krerët e komuniteteve do të takohen përsëri në qershor e korrik për të vlerësuar në se procesi i negociatave do të nisë së shpejti.
Megjithatë, në 19 qershor në Bruksel, Kristofias shprehu pakënaqësi me rolin e Turqisë duke thënë se negociatorët turq qipriotë po kërkonin miratimin e Ankarasë për çdo vendim. Ai kërkoi gjithashtu për një tërheqje të deri gjysmës së trupave turke nga Qiproja veriore.
Duke përfunduar një vizitë dy-ditore të mërkurën, nënsekretari i përgjithshëm i OKB për çështjet politike Lin Paskoe shprehu besim rreth arritjes përfundimisht të një marrëveshjeje paqeje. "Unë mendoj se ne do të përfshihemi në bisedime thelbësore në të ardhmen jo të largët," tha ai në Nikosia.