19/06/2008
Si pritës i festivalit të këngës Eurovizion 2008, Serbia ja u kaloi paraardhësve duke pritur dy konkurime gjysmëfinale dhe prova të shumta së bashku me finalen.
Nga Davor Konjikushiç për Southeast European Times në Beograd -- 19/06/08
![]() [Getty Images] |
Beogradi priti me sukses muajin e kaluar Festivalin e Këngës Eurovizion 2008 duke përfituar komercialisht e ekonomikisht dhe duke tërhequr turizmin në Serbi.
Organizimi i garës i kushtoi Serbisë 21 milion euro. Radio dhe Televizioni Kombëtar (RTS) shpenzoi 8.5 milion euro ndërsa shteti i dha RTS më tepër se 10 milion euro për të blerë paisje me definicion të lartë. Qyteti i Beogradit vetëm, investoi 2 milion euro.
Gjatë veprimtarisë, Beogradin e vizituan nga 11,000 në 15,000 turistë dhe sollën rreth 10 milion euro të ardhura të drejtpërdrejta. Vizitat turistike sollën rreth 15 milion euro në tërësi në Serbi, tha prodhuesja ekzekutive e medias serbe për Eurovision 2008, Sandra Susa.
"Ne qemë të kujdesshëm për çdo euro...RTS shpenzoi 8.5 milion euro, por Serbia përfitoi më shumë se 1 miliard euro...Gjatë qëndrimit të tyre dhjetë ditor në Beograd, [gazetarët] u kënaqën me qytetin tonë dhe i ndjenë serbët si një popull mik e i hapur që di si të jetojë," tha kreu i RTS Aleksandar Tijaniç pas veprimtarisë. Raporti financiar përfundimtar për veprimtarinë megjithatë do të lëshohet muajin tjetër.
Ekspertët e medias pranuan se reklamimi për Beogradin tejkaloi çdo të ardhur nga veprimtaria. "Është mirë të kesh atë lloj reklame kur të shohin miliona dhe kur ke organizuar veprimtarinë kaq mirë. Më së fundi ne kemi bërë diçka në një shkallë të madhe,' i tha Southeast European Times një kryeredaktor i një gazete të Beogradit.
Media e gjithë botës vlerësoi përpjekjet e Beogradit.
"Festivali i këngës Eurovizion 2008 në Beograd do të mbahet mend si një shfaqje e mrekullueshme," shkruante ITAR-TASS. "Serbët përdorën shansin e tyre për të ndryshuar imazhin në botë, nga ai që kishin nën Millosheviçin, tek Serbia e sotme si një vend normal," tha CNN. "Serbia dhe Beogradi provuan se ata janë një pjesë e Evropës," raportoi BBC.
Më shumë se 3,500 gazetarë që mbuluan festivalin e këngës parnaun se organizimi ishte i shkëlqyer. Shumica u magjeps nga Arena e Beogradit ku u bë konkurimi dhe ku skena simbolizon bashkëderdhjen e dy lumenjve, Savës dhe Danubit.