Bukureshti zgjedh kryebashkiakun e parë të pavarur

18/06/2008

Tani që Bukureshti ka zgjedhur si kryebashkiak të parin të pavarur, partitë e ndryshme politike po flasin rreth formimit të koalicioneve për zgjedhjet e ardhëshme të përgjithëshme.

Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht -- 18/06/08

photo

I pavaruri Sorin Opresku është kryebashkiaku i ri i Bukureshtit. [Gabriel Petresku]

I pavaruri Sorin Opresku fitoi garën bashkiake të Bukureshtit të dielën (15 qershor) duke mundur liberal demokratin Vasile Blaga me 57% ndaj 43%, sipas Byrosë Zgjedhore bashkiake (BEM).

"Unë u zgjodha si një i pavarur në këtë post; unë nuk jam i interesuar ta humbas pavarësinë time pavarësisht nga ofertat," tha Opresku të hënën mbrëma. Ai shtoi: "Puna në Bashki, pavarësia në këshill dhe rezultatet në fushë. Këto do të udhëheqin qëndrimin tim.

Midis përparësive të tij është kthimi i Bukureshtit në një "qytet IT" duke nxitur partneritetet publike-private, duke zhvilluar rrugët dhe infrastrukturën, organizimin e një referndumi mbi çështjen e zgjatur të qënve pa strehë, krijimin e një master plani për tërheqjen e fondeve të BE dhe kthimin e Bukureshtit në një qytet "ku të jetosh, jo vetëm të banosh".

Opresku është një kirurg dhe profesor që konkurroi pa sukses për kryebashkiak në 1998 dhe 2000. Ai ka qenë një senator që përfaqësoi Bukureshtin për tetë vitet e fundit. Një nga shtyllat e Partisë Social Demokratike (PSD), Opresku u tërhoq nga partia e majtë në prill pas 13 vjetësh midis grindjeve të brendëshme për të përcaktuar kandidatin bashkiak. Megjithatë, PSD e mbështeti Opreskun pas raundit të parë të zgjedhjeve.

Menjëherë pasi fitorja e tij u konfirmua, Opresku u takua me kryeministrin Kalin Popesku Tarikeanu. Ai spjegoi se ata diskutuan jozyrtarisht projektet që ai ka në plan të zbatojë në Bukuresht.

Puna e tij në Bashki nuk do të jetë e lehtë, thonë analistët, kryesisht pasi Partia Liberal Demokratike (PDL) dhe Partia e Re e Gjenerimit bënë një marrëveshje të martën për të formuar shumicën në këshillin e përgjithshëm të kryeqytetit, ku të dy partitë do të mbajnë 28 nga 55 vendet. Opresku gëzon mbështetjen e vetëm 16 këshilltarëve të PSD dhe tetë këshilltarëve Liberalë. Partia nacionaliste e Rumanisë së Madhe (PRM) tha se do të përmbahej nga bashkimi me njërën apo tjetrën aleancë.

Analistët i karakterizojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale mbarëkombëtare si tronditëse për PDL. Parë si partia kryesore politike në Rumani, ajo doli me sondazh 30% në gjithë vendin, pothuajse njëlloj me PSD të majtë. PDL e presidentit Trajan Bashesku shpresonte të formonte qeverinë e re pas zgjedhjeve të përgjithgëshme këtë vjeshtë por ecuria e saj e dobët mund ta detyrojë atë të bëjë koalicione.

Në plan lokal, Liberalët dhe PSD kanë nisur negociata për të bllokuar PLD në këshillat lokale e të qarqeve. Në plan kombëtar, PSD dhe Partia Konservatore kanë nisur tashmë negociatat mbi një aleancë të ardhëshme që do të konkurojë në zgjedhjet e përgjithëshme.

PDL fitoi garat bashkiake në 15 qarqe, ndërsa PSD dhe Liberalët morën respektivisht 12 dhe shtatë. Në tërësi, PSD mori kryesimin në 1,059 qytete e komuna pasuar nga PDL (878 qytete e komuna) dhe Liberalët (680).

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading