Rumania zgjedh udhëheqësit lokalë

03/06/2008

Kandidatët do të përballojnë balotazhet në 15 qershor pasi zgjedhjet e së dielës vendosën pakë kryetarë bashkish.

Nga Valentina Pop për Southeast European Times në Bukuresht - 03/06/08

photo

Në qytetet kryesore të Rumanisë, me përjashtim të Konstancës dhe Kluzh-Napoka, askush nuk fitoi postin e kryebashkiakut në raundin e parë. [Gabriel Petresku]

Zgjedhjet lokale të së dielës (1 qershor) në Rumani panë pjesëmarrje të ulët votimi, me më pak se 50% të votuesve të mundshëm që shkuan te kutitë e votimit, pesë përqind më pak se pjesëmarrja në 2004. Rreth 18 milion vetë qenë të mundshëm për të votuar për 3,2000 kryetarë bashkish, 40,000 anëtarë të këshillave të qarqeve dhe 41 kryetarë të këshillave të qarqeve.

Zgjedhjet qenë të pashembullta për shkak se ky "brez i parë i zyrtarëve lokalë evropianë", me fjalët e presidentit Traian Bashesku, do të menazhojë fondet e BE që shkojnë në 20 miliard euro në 2007-2013. Rumania do t'i marrë këto fonde për projektet lokale, rajonale e kombëtare të menduara për të mbyllur dallimin social e infrastrukturor midis të sapofuturve në BE dhe vendeve të vjetra anëtare.

Bukureshti pa një pjesëmarrje shumë të ulët në votim, me vetëm 31% të votuesve të mundshëm që hodhën votat e tyre pavarësisht piketave politike dhe finaciare që qenë ndoshta më të lartat anembanë vendit. Vëzhguesit e shohin këtë bashki si një tramplinë të mundëshme për presidencën, siç qe për Basheskun i cili u bë president duke qenë kryetar bashkie në 2004.

Nëntëmbëdhjetë kandidatë konkurruan për postin. Kandidati i Partisë Demokratike Liberale (PDL) Vasile Blaga, i cili mori 30.9% të votave dhe kandidati i pavarur Sorin Opresku, i cili mori 30.7%, do të ndeshen në një balotazh në 15 qershor.

Orvatja e pavarur e Opreskut ndezi kundërshti që nga fillimi, kur ai la Partinë Social Demokratike (PSD) pasi nuk fitoi propozimin prej saj.

Pas dorëheqjes së tij, Opresku nuk arriti të mbledhë nënshkrime peticioni për të kandiduar si i pavarur. Në fund, Gjykata e Apelit vendosi se ai mund të kandidojë. Shtypi më pas gjeti se disa nga nënshkruesit e peticionit të tij nuk kishin dëgjuar kurrë për Opreskun ose qenë të mitur.

Në qytetet e tjera të mëdha, me përjashtim të Konstancës dhe Kluzh-Napoka, asnjë kandidat për kryebashkiak nuk fitoi në raundin e parë. Në Konstanca, anëtari i PSD Radu Mazare fitoi një term të dytë me rreth 63% të votave. Në Kluzh-Napoka, kandidati i PDL, Emil Bok u rizgjodh me 75%.

Një seri parregullsish dhe incidentesh të dhunëshme ndodhën në qytetet më të vegjël, ku disa politikanë dyshohet se u orvatën të blejnë votat. Anamaria Mosneagu, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Pro-Demokracisë, një OJQ rumune që dërgon vëzhgues në qendrat e votimit, përmendi çmimin e një vote midis 800 dhe 1,000 euro, veçanërisht në zonat me interesa të larta ekonomike, sipas raporteve të BBC.

Në një tjetër incident të raportuar, qindra vetë u mblodhën jashtë një qendre votimi në Stefaneshti, pranë Bukureshtit, duke pretenduar se dikush u premtoi atyre 300 euro për të votuar për një kandidat. Janë 4,000 votues të regjistruar në Stefaneshti shpërndarë në dy zona administrative. Të hënën, ministri i brendshëm Kristian David premtoi një hetim duke thënë se kishte "prova të vërteta që votimi qe ndikuar."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading