28/05/2008
Ndonse një epidemi bruceloze ka marrë furi anembanë Federatës së Bosnje dhe Herzegovinës, nuk janë marrë masa për ta ndaluar.
Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 28/05/08
![]() Njerëzit mund ta marrin brucelozën duke ngrënë djathë apo qumësht të papasterizuar. [AFP] |
Bosnje dhe Herzegovina (BiH) po provon një epidemi bruceloze dhe duhet ta mbajë sëmundjen nga përhapja midis njerëzve dhe kafshëve, paralajmëruan studentët e departamentit të veterinarisë të Universitetit të Sarajevës në prill, në një tryezë të rrumbullakët të titulluar "Bruceloza në BiH".
Bruceloza, e quajtur gjithashtu ethja valëzore, apo ethja e Maltës në njerëzit, është një sëmundje me ngjitshmëri të lartë përhapur nga kontakti me kafshët e infektuara, ngrënia e mishit të papjekur apo djathit të papasterizuar apo pirja e qumështit të infektuar. Në njerëzit, bruceloza mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, djersitje, dhimbje koke, dhimbje të shpinës dhe dobësi fizike. Mund të ndodhin infeksione të ashpra të sistemti qendror nervor dhe zemrës. Sipas Qendrës së SHBA për Kontrollin dhe Ndalimin e Sëmundjeve, norma e vdekshmërisë është zakonisht më pak se 2% dhe zakonisht shoqërohet me endokarditis.
"Sipas trajtimit aktual, njerëzit mëkëmben shumë shpejt; megjithatë, mjekët kurdoherë theksojnë se ka një mundësi rikthimi: kthimi i simptomave në qoftë se imuniteti dobësohet ose në qoftë se ka kontakt të ri me sëmundjen," spjegoi profesori Tarik Bajroviç i departamentit të veterinarisë i Universitetit të Sarajevës.
Vitin e kaluar, 500 vetë vdiqën nga bruceloza në BiH. Autoritetet regjistruan 104 raste të reja në tre muajt e parë të këtij viti. Ky shpërthim i ri preku më së shumti punonjësit veterinarë dhe rritësit e bagëtive. Ekspertët thonë se epidemia është jashtë kontrollit. Sistemi për mbrojtjen kundër sëmundjeve të rrezikshme të bagëtisë në Federatën e BiH (FBiH) funksionon dobët dhe është shkak për alarm.
Të pranishmit në konferencë theksuan se autoritetet kishin deklaruar një shpërthim të epidemisë së brucelozës në disa kantone të FBiH.
Në një konferencë shtypi pas diskutimit, Muamer Dervisheviç, një student i veterinarisë, tha se bruceloza ka qenë e pranishme në BiH për një periudhë të gjatë. Ai shtoi se ajo u përhap pas konfliktit të viteve 1990, kryesisht për shkak të mosrregullimit të importeve të bagëtisë dhe rritjes nomadike të gjedheve.
Pas atij konflikti, mbizotërimi i sëmundjes, më parë e panjohur në BiH, mori përmasa dramatike. Në krye të viteve 2000, autoritetet shëndetësore zbuluan raste të hershme midis pronarëve të gjedheve "të dhuruara". Që atëhere, sëmundja u përhap.
Kryeinspektori veterinar i FBiH, Sulejman Hasimbegoviç, është midis atyre që thonë se bruceloza në BiH është jashtë kontrollit. Ai thotë se qeveria nuk mori masat e duhura për të shrrënjosur sëmundjen. Edhe ligjet e domosdoshme nuk janë. Situata, me fjalët e Hasimbegoviç, është alarmuese.
Në ndryshim, në BE, bruceloza është pothuajse e shrrënjosur krejtësisht. Sistemi veterinar në BiH gjëndet përballë një prej detyrave më të vështira: mbrojtjen e publikut nga sëmundjet megjithë mungesën e masave mbrojtëse.