Socialistët kanë kyçin për qeverinë e ardhëshme serbe

15/05/2008

Partitë në të dy anët e ndarjes politike në Serbi po përpiqen të fitojnë mbështetjen e Partisë Socialiste për formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve jopërfundimtare të së dielës.

(Blic, Euronews - 15/05/08; AP, Reuters, AFP, DPA, RFE/RL, VOA, Beta, B92 - 14/05/08)

photo

Presidenti serb Boris Tadiç tha se so të mbrojë dëshirën e popullit me të gjitha mjetet ligjore e demokratike. [Getty Images]

Presidenti pro-perëndimor i Serbisë, Boris Tadiç tha të mërkurën (14 maj) se është gati të merret vesh me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) mbi një koalicion, pas zgjedhjeve parlamentare jopërmbyllëse të së dielës.

Kolicioni "Për një Serbi Evropiane" kryesuar nga Partia Demokratike (DS) e Tadiç, fitoi 39% të votave dhe do të mbajë 102 nga 250 vende në parlament. Por atij i duhet një shumicë prej 126 votash.

Në vendin e dytë e të tretë, Partia ultranacionaliste Radikale Serbe (SRS) dhe koalicioni i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) dhe Serbisë së Re (NS), fitoi 78 dhe 30 vende respektivisht. Të dyja punuan me të shpejtë për të formuar një qeveri por atyre gjithashtu u mungojnë 126 vendet e nevojshme.

Koalicioni rreth SPS të Slobodan Millosheviçit të vdekur, i cili doli i katërti në votimin e së dielës, duke fituar 20 vende në parlament, doli kështu si asi i lojës. Tani të dy kampet pro-evropiane dhe nacionaliste, po i vijnë rrotull.

Tadiç e përshkroi SPS si një "partner koalicioni plotësisht të pranueshëm" për partinë e tij.

"Të dy partitë ndajnë idealet e Internacionales Socialiste dhe të dyja mbrojnë reformën sociale, krijimin e një sistemi të drejtësisë sociale dhe mundësi të barabarta për të gjithë," tha presidenti. "Këto janë parimet mbi të cilat vetë BE është bazuar."

Një koalicion SPS - Për një Serbi Evropiane, kërkon ende mbështetjen e disa nga katër grupimet e tjera që kapërcyen pragun e 5% . Partia e vendosur pro-perëndimore Liberal Demokartike fitoi 13 vende, ndërsa aleancat etnike të boshnjakëve, hungarezëve dhe shqiptarëve të luginës së Preshevës do të kenë shtatë vende të kombinuara.

Duke përmendur mbështetjen "e madhe" për koalicionin e tij pro-evropian, Tadiç kritikoi të mërkurën përpjekjen e SRS dhe DSS për të formuar një qeveri, duke u zotuar të mbrojë popullin me të gjitha mjetet demokratike e ligjore".

Koalicioni i Koshtunicës, në vendin e tretë me 12%, demonstroi kundërshtimin e votuesve për Koshtunicën, thotë Tadiç, i cili shtoi se "politikat e urrejtjes dhe agresionit humbën" ndaj "politikave të integrimit të vazhdueshëm evropian".

Sipas së përditëshmes me bazë në Beograd Blic, DS i ofroi postin e nënkryeministrit kreut të SPS Ivica Daçiç dhe portofolin e investimeve kapitale zyrtarit të lartë të SPS Milutin Mrkonjiç.

Ndërkohë, Daçiç e karakterizoi një takim me Koshtunicën të mërkurën si produktiv.

"Nesër, ne do të paraqesim disa nga politikat tona," u tha ai gazetarëve. "Ato u takojnë pensioneve, punës, kujdesit shëndetësor dhe arsimit." Ai refuzoi të komentojë mbi shanset e bashkimit të partisë së tij me një qeveri koalicioni të kryesuar nga DS.

Shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana tregoi të mërkurën se blloku 27-vendesh do të mbështesë çdo qeveri pro-evropiane.

Ndërkohë, sipas medias serbe, në konferencën e shtypit në Beograd të enjten, kreu i Partisë Radikale Aleksander Vuçiç tha se SRS, DSS dhe SPS kanë "rënë dakord [mbi] parimet" për koalicionin e shumicës në këshillin e bashkisë së Beogradit.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading