08/05/2008
Njerëzit që banuan në Srebrenicë deri në konfliktin 1992-1995 por tani banojnë gjëkundi tjetër do të jenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhjet lokale komunale më pas këtë vit
(Reuters, DPA, Balkan Insight, Fena, Office of the High Representative - 07/05/08)
![]() "Këto amendamente ndaj ligjit zgjedhor të BiH kanë krijuar një kornizë për zgjedhje të ndershme e korrekte në Srebrenicë, brenda sistemit ligjor të BiH," tha Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak. [OHR] |
Parlamenti i Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) miratoi amendamentet ndaj ligjit zgjedhor të vendit të mërkurën (7 maj) duke lejuar të gjithë ish banorët e qytetit lindor të Srebrenicës të votojnë në bashki gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit.
Ndryshimet, që mbulojnë vetëm zgjedhjet dhe vetëm komunën e Srebrenicës, u miratuan gjatë një sesioni të përbashkët të dhomës së përfaqësuesve dhe dhomës së popullit të parlamentit në nivelit shtetëror të BiH. Për të hedhur votat e tyre, ata që janë regjistruar tjetërkund duhet të riregjistrohen në listën e votuesve të Srebrenicës.
Qyteti, i cili është nën juridiksionin e Republika Srpska (RS) ishte i populluar kryesisht nga boshnjakë përpara konfliktit të 1992-1995. Ai u bë pastaj qyteti i mizorisë më të keqe pas Luftës së Dytë Botërore, kur mijra boshnjakë, burra e djem u ekzekutuan pa gjyq nga forcat serbe.
Disa mijra boshnjakë që ikën nga Srebrenica gjatë luftës janë kthyer, por më tepër se 25,000 të tjerë ose banojnë gjëkundi tjetër në BiH ose kanë ikur jashtë vendit. Serbët etnikë përbëjnë tani një shumicë në qytet dhe qenë në gjendje t'i mundnin boshnjakët me vota me një diferencë të madhe po të mos miratoheshin ndryshimet të mërkurën.
Të dielën, kryeministri i RS Milorad Dodik u takua me Përfaqësuesin e Lartë Miroslav Lajçak për të diskutuar një sërë ndryshimesh të mundëshme për legjislacionin zgjedhor, duke përfshirë një propozim nga këshilli i qytetit të Srebrenicës për ta vënë qytetin nën një status të posaçëm jashtë juridiksionit të RS. Dodik tha se ai ishte kundër një mase të tillë.
Fillimisht, krerët serbë boshnjakë qenë gjithashtu kundër lejimit të ish banorëve për të votuar në Srebrenicë këtë vjeshtë. Por ata pranuan pas bisedimeve të së dielës.
Duke folur përpara sesionit të parlamentit të BiH, kryetari i asamblesë parlamentare të RS, Igor Radojiçiç e përshkroi ndryshimin si një akt vullneti të mirë. Ai shprehu gjithashtu shpresë se ai do të stabilizionte situatën në Srebrenicë.
Të martën, ambasadorët e bordit drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC) përshëndetën nismën.
"Miratimi i një amendamenti të tillë do të merrte në konsideratë tragjedinë humane të Srebrenicës dhe duhet të shihet si një gjest i vullnetit të mirë," thanë ata në një deklaratë. "Srebrenica mund të kthehet nga një simbol i tragjedisë në një simbol të urtësisë politike, përgjegjësisë dhe përparimit ekonomik."
Duke përshëndetur kalimin e amendamentit të mërkurën, Lajçak lëshoi një deklaratë të posaçme ku vlerësonte ligjebërësit për "urtësinë dhe mënçurinë politike" të tyre.
"Ata kanë marrë parasysh historinë tragjike të Srebrenicës dhe këto amendamente në ligjin zgjedhor të BiH kanë krijuar një kornizë për zgjedhje të ndershme e korrekte në Srebrenicë, brenda sistemit zgjedhor të BiH," tha i dërguari kryesor ndërkombëtar dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE në BiH.