Serbia dhe BE nënshkruajnë SAA

30/04/2008

Serbia dhe BE nënshkruan marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit të martën por zbatimi do të ndodhë vetëm pasi Serbia të arrijë bashkëpunimin e plotë me ICTY. BE përshpejtoi nënshkrimin e Serbisë për të nxitur perspektivat e partive pro-perëndimore përpara zgjedhjeve të 11 majit.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 30/04/08

photo

Nënkryeministri dhe kryenegociatori serb Bozhidar Gjeliç (majtas), presidenti serb Boris Tadiç (në mes) dhe shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana ndjekin takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithëshme dhe Marrëdhënieve të Jashtme të BE në Luksemburg të martën (29 prill). [Getty Images]

Përfaqësuesit e lartë serbë dhe të BE nënshkruan marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA), hapi i parë nga vendi ballkanik perëndimor drejt integrimit të plotë në BE, në Luksemburg të martën (29 prill). Ratifikimi do të ndodhë vetëm pasi Këshilli i Ministrave i BE të ketë gjetur se Serbia bashkëpunon plotësisht me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY).

Gjykata do që Serbia të ekstradojë katër të paditur të tjerë, përfshirë komandantin serb boshnjak të kohës së luftës Ratko Mlladiç dhe udhëheqësin serb boshnjak të kohës së luftës Radovan Karaxhiç.

Në nënshkrimin e marrëveshjes qenë nënkryeministri serb Bozhidar Gjeliç, komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn dhe të 27 ministrat e jashtëm të BE. Ceremonia u ndoq nga presidenti serb Boris Tadiç dhe shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana.

Rehn tha se nënshkrimi dërgoi një sinjal të qartë për të gjithë serbët se ata kishin një të ardhme në Evropë. Ai e quajti SAA një pikë kthese në marrëdhëniet mes Serbisë dhe BE.

Solana tha se BE do të ishte jo e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor. "Kjo [BE] është shtëpia juaj; ajo së cilës ju i takoni," tha ai.

Tadiç shprehu shpresë se Serbia do të bëhej një kandidate për anëtare deri nga fundi i vitit gjë që do t'i jepte vendit akses ndaj më shumë fondeve nga buxheti i Bashkimit. Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat se nënshkrimi i SAA do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës.

"Serbia ka si të drejtën dhe detyrimin të mbrojë integritetin dhe identitetin e saj dhe këtu unë po flas më së pari për Kosovën dhe Metohinë. Dhe Serbia në të njëjtën kohë, ka çdo të drejtë të kërkojë të ardhmen e saj evropiane," tha Tadiç. Ai premtoi se shteti do të përmbushte të gjitha detyrimet ndaj ICTY pavarësht nga pakënaqësia e madhe lidhur me lirimin e ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili u shfajësua më parë këtë muaj nga akuzat për krime kundër serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë etnikë.

Megjithatë, kryeministri serb Vojislav Koshtunica dhe zyrtarët e Partisë Radikale Serbe denoncuan nënshkrimin, duke pretenduar se kjo do të thotë pranim i pavarësisë së Kosovës. Koshtunica e përshkroi atë si "një akt antikushtetues dhe antishtetëror", i cili nuk e detyron Serbinë.

"Ne nuk do të lëmë askënd të vërtetojë pavarësinë e Kosovës në emër të Serbisë dhe kjo është pse nënshkrimi i Tadiç është absolutisht i pavlefshëm," tha Koshtunica.

Rehn, megjithatë, hodhi poshtë çdo lidhje midis SAA dhe statusit të Kosovës. Ai vuri në dukje se marrëveshja pohon se Kosova është nën administrimin e OKB, gjë që e bën atë "neutrale" lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Megjithatë, Kosova deri tani është njohur nga deri 18 anëtarë të BE.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading