24/04/2008
Me shumicë dërrmuese të mërkurën, anëtarët e Parlamentit Evropian votuan në favor të një raporti për Maqedoninë duke i kërkuar krerëve të BE të konsiderojnë vendosjen e një date fillimi për bisedimet e anëtarësimit me qeverinë.
(Euronews, SNA - 24/04/08; Bloomberg, EUobserver, Balkan Insight, Makfax, European Parliament - 23/04/08)
![]() Një shumicë dërrmuese e anëtarëve të Parlamentit Evropian mbështeti një raport që u kërkonte krerëve të BE të konsiderojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin përpara fundit të këtij viti. [BE] |
Parlamenti Evropian (PE) miratoi një raport të mërkurën (23 prill) ku i kërkon BE të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë përpara fundit të këtij viti në qoftë se vendi përmbush parakushtet.
Maqedonia ka pritur një datë për nisjen e bisedimeve të pranimit që nga dhjetori 2005 kur ajo u bashkua me listën e vendeve kandidate të Bashkimit, duke përfshirë Kroacinë dhe Turqinë.
Duke përshëndetur "përparimin e rëndësishëm" të Maqedonisë, qysh atëhere, raporti i përparimit 2007 i PE mbi Maqedoninë i bënte thirrje asaj të zbatojë reformat e kërkuara nga BE duke përfshirë një listë prej tetë provash të marra kohët e fundit.
Dokumenti, i miratuar nga një votim 601-52 në legjslaturën 785-vendëshe të BE, të mërkurën, shprehu shpresë se përmbushja e kritereve "do të çojë në hapjen e negociatave të pranimit përpara fundit të vitit 2008."
Anëtarët e PE i kërkuan krerëve të bllokut të konsiderojnë dhënien e një drite të gjelbërt për bisedimet e hyrjes së Maqedonisë gjatë samitit të tyre të qershorit.
Ata theksuan se mosmarrëveshja e gjatë 17 vjet e Maqedonisë me Greqinë nuk duhej të pengonte pranimin e saj.
Greqia refuzon të njohë fqinjën e vet veriore me emrin e saj kushtetues, Republika e Maqedonisë, duke e parë atë si një pretendim potencial territorial ndaj krahinës së vet të Maqedonisë. Athina vazhdon ta quajë vendin ballkanik Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM).
Ndërsa të dy vendet kanë rritur përpjekjet drejt një zgjidhjeje në muajt e fundit, ata kundërshtuan një numër propozimesh për kompromis të paraqitura nga ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet e tyre, Matthew Nimetz.
Më parë këtë muaj, Greqia bllokoi një ftesë për Maqedoninë për t'u bashkuar me NATO. Athina ka kërcënuar gjithashtu ta përmbajë Maqedoninë nga lëvizja më afër në anëtarësimin në BE deri sa të zgjidhet mosmarrëveshja për emrin.
Ligjbërësit e BE "u bëjnë thirrje të dy palëve të rrokin shansin për të rinisur menjëherë negociatat...dhe të arrijnë një zgjidhje kompromisi," thoshte raporti i së mërkurës.
Deputetët e PE më tej i kërkuan koalicionit qeverisës të Maqedonisë për të siguruar zgjedhje parlamentare të rregullta e demokratike në 1 qershor. Ata shprehën shpresë se votimi nuk do të pengojë përgatitjet e Shkupit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE.
Raporti përshëndeti përparimin e bërë nga autoritetet maqedonase në zbatimin e marëveshjes kornizë të Ohrit të 2001, e cila ka të bëjë me marrëdhëniet ndër-etnike në vend, por u qa "për diskriminimin e vazhdueshëm ndaj komunitetit rom".
Duke theksuar marrëdhëniet e mira fqinjësore, deputetët e PE u kërkuan autoriteteve të përputhen me kërkesat e BE mbi "kundërgoditjen ndaj rishfaqjes së 'fjalëve të urrejtjes', veçanërisht në media, kundër vendeve fqinjë."
Raporti i PE përshëndeti "qëndrimin konstruktiv" të Maqedonisë mbi statusin e Kosovës dhe bashkëpunimin aktiv të tregtisë me shtetin më të ri të Evropës. Deputetët e PE bënë thirrje gjithashtu për hapa për t'ju drejtuar çështjes së kufirit Maqedoni-Kosovë, në përputhje me propozimin e ish të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisaari.