23/04/2008
Në një sesion të mbyllur të hënën, Këshilli i Sigurimit shqyrtoi një raport të ngjarjeve në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së saj në 17 shkurt.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 23/04/08
![]() Presidenti serb Boris Tadiç foli para Këshillit të Sigurimit të hënën (21 prill). [Getty Images] |
Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrtoi të hënën (21 prill) një raport nga UNMIK për Kosovën. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun, që udhëtoi në Afrikë, mungoi në sesionin, në të cilin presidenti serb Boris Tadiç dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ofruan pikpamje të ndryshme për gjendjen.
Raportin e paraqitit shefi i UNMIK Joachim Ruecker i cili mohoi zërat se do të japë dorëheqje. "Unë do të vazhdoj të kryej mandatin e UNMIK," tha ai, duke shtuar se misioni i tij "nuk do të lejojë dhunë, institucione paralele apo mosrespektim për UNMIK".
Ruecker vuri gjithashtu në dukje ndryshimet në terren dhe formimin e institucioneve të Kosovës. Ai vërejti se parlamenti kaloi një kushtetutë, sipas së cilës UNMIK do të transferojë autoritetin tek institucionet lokale që nga mesi i qershorit. Kjo është pse, siç tha Ruecker, UNMIK duhet të "përshtatet" me rrethanat e reja.
Ai shtoi se lejimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë në 11 maj, gjë që Prishtina e kundërshton, nuk do të përmirësonte marrëdhëniet serbe-shqiptare.
Presidenti serb Boris Tadiç megjithatë këmbënguli në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe në garantimin "se shtetasit kudo në Kosovë, ku ata njohin Republikën e Serbisë si shtetin e tyre, mundet demokratikisht të zgjedhin përfaqësuesit e vet bashkiakë dhe parlamentarë."
Ai kritikoi gjithashtu UNMIK për mos reagimin më me forcë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe për lejimin e zbatimit të planit të ish të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisaari për Kosovën megjithëse ai nuk u miratua kurrë nga Këshilli i Sigurimit.
Ai shtoi se Serbia është kundër marrjes së planifikuar të rolit të UNMIK nga misioni EULEX i BE sepse Bashkimi nuk ka marrë lejën e Këshillit të Sigurimit. "Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i vetmi institucion që mund të marrë një vendim të vlefshëm ligjërisht," tha Tadiç.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi foli gjithashtu në takim. Ai i tha Këshillit se Kosova do të përputhet plotësisht me planin e Ahtisaarit, veçanërisht përsa i përket të drejtave të pakicave.
Thaçi tha gjithashtu se pas pavarësisë mbeteshin probleme, të tilla si papunësia dhe nevoja për investim të huaj. "Pavarësia e Kosovës ishte e kundërshtueshme, kryesisht nga rezistenca e fortë nga...Serbia. Ne vazhdojmë t'i ofrojmë Beogradit një dorë...sepse ka një nevojë urgjente për bashkëpunim në nivele të ndryshme," tha ai.
Ambasadorët e SHBA dhe Britanisë në OKB më pas i kërkuan Serbisë ta rimendonte mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. "Rusia dhe Serbia vazhdojnë të mos pranojnë realitetin e pavarësisë së Kosovës," tha ambasadori britanik Xhon Sojers.
Ambasadori rus Vitali Çurkin, megjithatë, argumentoi se "serbët kanë çdo të drejtë të mbajnë zgjedhjet e tyre parlamentare e komunale kur ta shohin të përshtatëshme."
Ambasadori i SHBA Zalmai Khalilzad tha se të tilla zgjedhje në Kosovë do të kishin një përfundim të paligjshëm".