22/04/2008
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer vizitoi Shkupin të hënën për një informim nga qeveria. Zyrtarët e nivelit më të lartë të saj theksuan se Maqedonia do të mbetej në procesin negociues.
Nga Marina Stojanovska për Southeast European Times në Shkup -- 22/04/08
![]() Kreu i NATO-s Jaap de Hoop Shefer flet me gazetarët në Shkup të hënën (21 prill). [Tomislav Georgiev] |
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer ishte në Shkup të hënën (21 prill) për t'u takuar me presidentin Branko Crvenkovski, kryeministrin Nikola Gruevski, ministrin e jashtëm Antonio Milososki dhe ministrin e mbrojtjes Lazar Elenovski.
"Ambicja ime personale është ta shoh vendin tuaj në NATO. Unë besoj se integrimi evro-atllantik është një kyç për stabilitetin në këtë rajon," tha de Hoop Shefer gjatë takimit gati tre javë pasi vendi nuk ja doli të fitojë një ftesë për t'u bashkuar me Aleancën në samitin e Bukureshtit.
Ai thotë se do që të përqëndrohet në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, pengesa që Shkupi duhet ta kapërcejë përpara se të bashkohet me NATO.
"Ju mund të bëni dy gjëra: të shihni prapa me zemërim apo të shikoni përpara. Mua do të më pëlqente që në 9 korrik kur Shqipëria e Kroacia të nënshkruajnë protokollin e pranimit me NATO, të kemi një vend të tretë, tuajin," u tha de Hoop Shefer zyrtarëve.
NATO nuk ka një rol të drejtpërdrejtë në procesin të cilin e mbikqyr OKB. "Nuk mund të jem i rëndësishëm në këtë proces, por unë do të ndihmoj në se mundem," shtoi ai.
Ai shprehu shpresë se zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të caktuara për në 1 qershor do të qenë të lira e të ndershme dhe se negociatat mbi emrin e vendit do të rinisnin shpejt pas kësaj.
Crvenkovski i kërkoi de Hoop Shefer të përcjellë në Bruksel atë se Maqedonia mbetet e përkushtuar për t'u bërë një anëtare e plotë e Aleancës sa më parë të jetë e mundur, gjë që ai e përshkroi si të rëndësishme për stabilitetin dhe rajonin. Por presidenti tha gjithashtu se Maqedonia nuk dëshëron ta bëjë këtë me çmimin e destabilizimit të mundshëm.
Crvenkovski theksoi gjithashtu se pavarësisht nga zgjedhjet e parakohëshme, Maqedonia do të vazhdonte negociatat mbi çështjen e emrit.
De Hoop Shefer u takua gjithashtu me Gruevskin i cili tha se Maqedonia do të mbetej një pjesëmarrëse aktive dhe konstruktive në negociatat, sipas zëdhënësit të qeverisë Ivica Boçevski.
Ai shtoi se qeveria, në çështjen e emrit, do të hiqte vija të qarta mbi identitetin kombëtar dhe integritetin e Maqedonisë.