21/04/2008
Negociatorët grekë dhe turq qipriotë kanë nisur përgatitjet për negociatat e plota që kanë për qëllim ribashkimin e ishullit të ndarë.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times --21/04/08
![]() Presidenti qipriot Demetris Kristofias (mjatas) dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat ranë dakord në 21 mars të nisin një proces të ri ribashkimi. [Getty Images] |
Ekspertët ligjorë e kushtetucionalë, juristë e përfaqësues të tjerë nga të dy komunitetet u takuan të premten (18 prill) për herë të parë në më shumë se katër vjet, për të hedhur bazat për bisedime midis krerëve të turqve qipriotë dhe të grekërve qipriotë.
Presidenti qipriot Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat ranë dakord në 21 mars të nisin një proces të ri i cili pritet të fillojë zyrtarisht deri nga fundi i qershorit. Ndarja e gjatë me dekada e Qipros vazhdon të jetë pengesa më e madhe për ofertën e Turqisë në BE dhe ende shkakton fërkime midis aleatëve Turqi e Greqi në NATO.
Shpresat për arritjen e një zgjidhjeje u rritën pasi Kristofias zëvendësoi Tasos Papadhopulos të vijës së ashpër në shkurt. Papadhopulos ndihmoi të prishë përpjekjen e fundit më të madhe për ribashkimin e Qipros në 2004 duke bërë fushatë të fuqishme kundër një plani të propozuar nga sekretari i atëhershëm i OKB Kofi Anan. Më pas ai hodhi poshtë propozimet nga Talat për bisedime të reja dhe refuzoi të takohet me të.
Në ndryshim prej tij, Kristofias është takuar tashmë me kreun turk qipriot dy herë dhe ata ka gjasa të takohen përsëri në 7 maj përpara se grupet e punës të përfundojnë përpjekjet e tyre.
Özdil Nami, ndihmësi kryesor i Talat e përshkroi takimin e parë të paneleve të premten si një "fillim pozitiv". "Ne kemi arsye të jemi optimistë," tha ai, duke theksuar se të dy palët shfaqin "vullnet të mirë" dhe caktuan zyrtarët e tyre më me përvojë në komitetet. "Objektivi ynë është të mbarojmë punën e komiteteve në më pak se tre muaj dhe të bëjmë dokumentet për bisedimet midis presidentit tonë dhe Kristofias për të qenë gati deri në kohën që ata të takohen," tha ai.
George Iakovou, kryenegociatori grek qipriot, i kërkoi gjithashtu ekipit të tij të miratojë një qasje kostruktive. "Ju duhet t'i shihni homologët tuaj në bisedime jo me një frymë konfrontuese por si shokë pune për një kauzë të përbashkët," tha ai.
Për këto bisedime përgatitore, tuqit qipriotë dhe grekët qipriotë formuan gjashtë grupe pune dhe shtatë komitete teknike. Grupet e punës do të shohin në çështjet komplekse të zgjidhjes të tilla si ndarja e qeverisë dhe pushtetit, çështje të BE, të sigurisë, mosmarrëveshjeve territoriale dhe ekonomisë. Komitetet teknike do të përqëndrohen në çështjet e përditëshme të tilla si parandalimi i krimeve, trashëgimia kulturore, çështjet humanitare, tregtia, shëndeti publik dhe mbrojtja e mjedisit. Rreth 130 ekspertë do të marrin pjesë në diskutimet.
Grupet e punës dhe komitetet teknike do të takohen çdo katër ditë, ndërsa ndihmësit e Talat dhe Kristofias do të takohen çdo pesë ditë me qëllim që të mbikqyrin përparimin dhe të diskutojnë zgjidhje për mosmarërveshje të mundëshme.
OKB, që ndërmjetëson procesin, përshëndeti takimin e parë të negociatorëve. "Siç kemi thënë më parë, OKB do të bëjë gjithëshka mundet për të ndihmuar të dy palët në kërkimin e tyre për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të dy palët," tha Elisabeth Spehar, përfaqësuese e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të OKB.
"Ne shpresojmë se rezultate konkrete mund të arrihen...që do të japin një bazë solide për të dy krerët që të shkojnë përpara," tha ajo.
Komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn ka thënë gjithashtu se blloku i tij prej 27-anëtarësh do të mbështeste të gjitha përpjekjet që çonin në një zgjidhje tërërsore, në përgjigjen e tij ndaj një mocioni mbi Qipron paraqitur në Parlamentin Evropian.
Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu mbështetje për bisedimet e Qipros në një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB dhe anëtarëve të BE muajin e shkuar dhe kërkoi marrjen në konsideratë të planit Anan teksa hidhen bazat për bisedime të reja.
Ishulli mesdhetar i Qipros është ndarë për mbi tre dekada midis administratës greke në jugë të njohur ndërkombëtarisht dhe Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros Veriore, në veri, e cila mbetet e izoluar ndërkombëtarisht.
Orvatjet e OKB për të ribashkuar ishullin u zvarritën përsëritshëm, më së fundmi në 2004, kur shumica greke qipriote votoi kundër planit të Anan. Turqit qipriotë, në një referendum më vete në prill 2004 votuan për planin, por duhej që ai të miratohej nga të dy palët me qëllim që një Qipro e ribashkuar të hynte në BE.