17/04/2008
Bosnje dhe Herzegovina mund të shohë që një marrëveshje e madhe me BE të finalizohet brenda javësh, pasi ligjet e reformës policore që Brukseli ka kohë që i mbron fituan miratimin e parlamentit qendror të mërkurën.
(AFP, Reuters, AP, DPA, AKI, Balkan Insight, Fena, Office of the High Representative - 16/04/08)
![]() "Ditë më të mira janë përpara nesh dhe gjithashtu shumë punë lidhur me nënshkrimin e SAA," tha kryeministri Nikola Spiriç. [AFP] |
Dhoma e epërme e parlamentit të nivelit shtetëror të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) miratoi të mërkurën (16 prill) dy ligjet e reformës policore duke hapur derën për marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) të vendit me BE.
Projekt-ligji mbi mbikqyrjen e policisë së BiH dhe projekt-ligji mbi bashkërendimin e departamenteve të policisë dhe agjensive mbështetëse u miratuan me një votim 10-4 të dhomës së popujve prej 15-anëtarësh. Miratimi vjen rreth një javë pasi projekt-ligjet kaluan dhomën e ulët 42-vendëshe.
Rrugëdalja erdhi më tepër se pas tre vjet bisedimesh mbi riorganizimin e policisë së vendit, ku secila nga njësitë, Republika Srpska (RS) dhe Federata e BiH, ka policinë e vet. Përpjekjet për të arritur një marrëveshje u bllokuan kryesisht nga partitë serbe boshnjake që druheshin se reformat policore të kërkuar nga BE do t'i jepnin fund RS.
Ato pranuan më së fundi një kompromis të ofruar nga Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak dhe që parashikonte krijimin e shtatë organizmave të nivelit shtetëror që do të merrnin autoritetin mbi forcat e policisë të ndara etnikisht të vendit brenda një viti pas miratimit të reformës kushtetuese.
Duke favorizuar më shumë centralizim të policisë, Partia qeverisëse boshnjake e Veprimit Demokratik dhe Partia Demokratike Serbe po kritikojnë legjislacionin duke pretenduar se ai ofron vetëm ndryshime "kozmetike" që nuk do të përmirësonin sigurinë në BiH.
Ndonse plani i miratuar devijon nga kërkesat e fillimit të BE për një forcë policore të vetme mbarëkombëtare, Brukseli sinjalizoi se do të pranonte çdo marrëveshje sipas së cilës policia do të operonte profesionalisht dhe duke shmangur prirjen etnike.
Zyrtarët e BE vlerëuan politikanët e BiH të mërkurën për heqjen e pengesës përfundimtare për të nënshkruar SAA, një hap i madh drejt anëtarësimit përfundimtar në BE. Marrëveshja u siglua në dhjetor por Brukseli thoshte se ajo do të finalizohej vetëm pas një marrëveshjeje mbi ristrukturimin policor.
Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn tha të mërkurën se marrëveshja jo vetëm do të "sillte përfitime praktike në tregti" por do ta sillte gjithashtu BiH më pranë statusit të kandidatit.
Duke e karakterizuar masën e së mërkurës si një "hap vendimtar" për BiH, shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana shprehu shpresë se SAA mund të nënshkruhet "shpejt".
Ajo mund të ndodhë aq herët sa 29 prilli, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm në Luksemburg.
"Në qoftë se do ketë vështirësi teknike, data tjetër për nënshkrimin do të jetë 26 maji," tha të mërkurën ambasadorja sllovene në BiH Natasha Vodushek, vendi i së cilës mban presidencën e rradhës së BE.
Në se do të ketë probleme, finalizimi mund të bëhej gjatë takimit tjetër të ministrave të jashtëm të BE në 16 qershor.
"Sapo hyn në këtë rrugë, asnjë vend nuk ka dështuar së bëri një anëtar i BE," tha Lajçak ndërsa përshëndeti riorganizimin e policisë, i cili "dërgon një sinjal të fortë për BE dhe investitorët se BiH...është e hapur për biznes".