Fushata kundër duhanit në proces në Maqedoni

16/04/2008

Do të fillojë një ndalim i plotë i duhanpirjes në vendet publike dhe prodhuesit e duhanit duhet të vënë fotografi të organeve të sëmura të duhanpirësve në kutitë e cigareve.

Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 16/04/08

photo

Maqedonia po i bashkohet fushatës mbarëbotërore kundër duhanit. [Getty Images]

Qeveria maqedonase amendoi ligjin mbi duhanin dhe produktet e duhanit dhe ligjin kundër duhanpirjes muajin e fundit, duke nisur një fushatë të intensifikuar mbarëkombëtare kundër pirjes së duhanit. Duke filluar nga mesi i 2009, paketave të cigareve do t'u kërkohet të kenë fotografi me organet e sëmurura të duhanpirësve.

Prodhuesit do të kenë tre muaj pasi të hyjnë në fuqi amendamentet për të shitur apo tërhequr paketat e vjetra të cigareve që nuk kanë fotografitë.

Të tillë kujtues ilustrativë të pasojave mjekësore të duhanpirjes do të ndryshojnë, duke treguar herë mushkëritë kanceroze, arteret e bllokuara apo dhëmbët e prishura. Qëllimi është të inkurajohen duhanpirësit ta lënë zakonin. Një komision i ministrisë së shëndetësisë i përbërë nga ekspertë në sëmundjet e lidhura me duhanin, është përgjegjës për zgjedhjen e fotografive. Maqedonia do të jetë vendi i parë në rajon që fut një fushatë të tillë.

Industria e duhanit në Maqedoni është e zemëruar rreth ndryshimeve. Prodhuesit thonë se ata ndërkaq harxhojnë para të madhe për të shtypur paralajmërimet e kërkuara dhe ankohen për shpenzimet e reja të ndjeshme që do t'u duhen të bëjnë në rimodelimin e paketave të cigareve për t'u gjetur vend fotografive. Ata kundërshtojnë gjithashtu fillimin e shpejtë të afateve përfundimtare.

Qeveria, përveç kësaj, amendoi ligjin kundër pirjes së duhanit për ta bërë të jashtëligjëshme pirjen në të gjitha godinat publike, duke përfshirë ato që nuk mbuloheshin nga ligji i 2006. Ndalimi vjen pasi politika e mëparshme e lënies mënjanë të tavolinave të veçanta për duahnpirësit në restaurante dhe mjedise të tjera u provua jo e efektshme në përmirësimin e cilësive të ajrit për ata që nuk e pijnë duhanin.

Aktualisht, pothuajse çdo restaurant apo bar në Maqedoni ka tryeza të caktuara për pirësit dhe jo pirësit e duhanit. Megjithatë, atmosfera e mbushur me tym duhani është përgjithësisht e pandryshuar pasi tryezat janë shpesh bri njëra tjetrës dhe jo në dhoma të veçanta. Sipas rregullave të reja, dhomat e duhanpirjes nuk mund të kapërcejnë 50% të një mjedisi të caktuar. Bizneset që gjenden në shkelje ndeshen me gjoba të rënda deri në 4,500 euro.

Studimet tregojnë se një e treta e popullsisë maqedonase pi një paketë në ditë. Dhe deri në 8% e atyre që pijnë janë të moshave 13 deri 15 vjeç. Vetëm 5% e duhanpirësve kanë në plan ta lënë zakonin.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading