Një tjetër urë në BiH shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO

16/04/2008

Ura Mehmet Pasha Sokoloviç, e konsideruar një kryevepër arkitektonike, hyri në listë muajin e shkuar.

Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë – 16/04/08

photo

Ura Mehmed Pasha Sokoloviç. [UNESKO]

Pas shtimit të Urës së Vjetër në Mostar në Listën e Trashëgimisë Botërore në 2005, UNESKO shtoi kohët e fundit një tjetër urë otomane të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) në grupin e shquar të monumenteve të botës.

E konsideruar një kryevepër e arkitekturës otomane, ura Mehmet Pasha Sokoloviç u ndërtua në fund të shekullit të 16-të në qytetin lindor të BiH, Vishegrad ku ajo hidhet mbi lumin Drina, kufiri historik me Serbinë.

Ura prej guri është 179.5 metra e gjatë dhe ka 11 harqe. Ajo u porosit nga veziri i madh i sulltanit otoman, Mehmet Pasha Sokoloviç i cili ishte me origjinë boshnjake. Projektuar nga Mimar Koça Sinan (1489-1588), që konsiderohet gjerësisht si më i miri arkitekt i perandorisë otomane, ajo është një nga gjashtë urat e mbetuara të ndërtuar prej tij.

Në fund të marsit, drejtori i UNESKO-s Koiçiro Matsura u dha autoriteteve në BiH një çertifikatë të shtimit të urës në regjistrin e UNESKO-s.

"Vlera e saj kulturore i kapërcen si kufijtë kombëtarë dhe kulturorë," tha Matsura.

Historia e bëri urën një ikonë të Ballkanit. Ajo është "personazhi" më i njohur i librit të autorit nobelist Ivo Andriç, "Ura mbi Drin". Romani përshkruan marrëdhëniet midis të krishterëve serbë ortodoksë dhe muslimanëve në Vishegrad gjatë pushtimit otoman. Në libër, ura kapërcen jo vetëm një lumë por gjithashtu hendekun fetar të qytetit, megjithatë ajo i shërben këtij qëllimi të fundit vetëm mangësisht.

Grindjet e rrënjosura në historinë më të fundit e detyruan Matsurën të anullojë një vizitë të planifikuar në Vishegrad për arsye sigurie. Gjatë udhëtimit të tij në BiH, Shoqata e Grave Viktima të Luftës, kryesisht një grup boshnjak, vuri një pllakatë në urë për të përkujtuar viktimat e konfliktit të BiH. Autoritetet lokale serbe boshnjake e hoqën pllakatën një ditë më pas.

Në 1992, serbët boshnjakë të vijës së ashpër kryen mizorira ndaj popullsisë boshnjake në Vishegrad. Tre mijë boshnjakë, duke përfshirë 121 fëmijë u vranë, shumica nga ta në vetë urën. Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, qyteti mbeti brenda Republika Srpska të qeverisur nga serbët.

Në ceremoninë që shënoi futjen e urës në Listën e Trashëgimisë Botërore, kryetari i presidencës së BiH Haris Silajxhiç tha se ata që shpëtuan nga ai konflikt "meritojnë respektin tonë".

Ura Mehmet Pasha Sokoloviç mbetet një tërheqje e shquar turistike pasi ka qenë dëshmitare e kaq shumë turbullirave historike. Ajo mban shumë nga dukja e saj origjinale ndonse ka pësuar riparime disa herë. World Monuments Watch e vuri atë në listën e vet të 100 monumenteve më të rrezikuara të botës në 2006.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading