10/04/2008
Një komitet parlamentar bullgar miratoi një raport të mërkurën duke sugjeruar se një pjesë e financimit për operacione terroriste nga organizata të tilla si Hezbollah dhe Xhihadi Islamik erdhën nga trafiku i drogës nëpër Bullgari.
(The Times, FT - 10/04/08; Reuters, AP, DPA, Balkan Insight, SNA, Dnevnik, Mediapool - 09/04/08; Reuters, Mediapool - 08/04/08)
![]() Një raport gjen se fitimet nga tregtia e narkotikëve në Bullgari kanë ndihmuar financimin e organizatave terroriste të Lindjes së Mesme të tilla si Hezbollah dhe Xhihadi Islamik. [Getty Images] |
Disa nga fitimet e mëdha nga trafiku i drogës nëpër Bullgari ka përfunduar në arkat e grupeve terroriste me bazë në Lindjen e Mesme, sipas një raporti miratuar nga një komitet parlamentar bullgar të mërkurën (9 prill).
Rrjeti i krimit i Bullgarisë në trafikun e narkotikëve sintetikë nganjëherë bëhet bashkë me shtetas arabë të lidhur me organizatat terroriste, duke marrë fitime të ndjeshme nga kontrabanda nëpër territorin e vendit ballkanik, thanë ligjebërësit.
"Ne mund të nxjerrim përfundimin se një pjesë e parave të mbledhura nga trafiku i drogës është përdorur për të financuar operacionet e organizatave terroriste të tilla si Hezbollah, Xhihadi Islamik dhe milicitë e krishtera," tha komiteti prej 27-anëtarësh i sigurisë së brendëshme dhe rendit publik.
Hezbollah është një organizatë shite guerilase me bazë në Liban, ndërsa Xhihadi Islamik është një grup militant palestinez që operon në territoret palestineze, veçanërisht në Rripin e Gazës. Të dy ato janë rreshtuar nga BE dhe SHBA si organizata terroriste.
E vendosur në një nga rrugët kryesore të trafikut nëpër Ballkan, Bullgaria "është një vend tranzit si edhe prodhuees i narkotikëve të paligjshëm", thoshte departamenti i shtetit i SHBA në shkurt.
Raporti i komitetit parlamentar përqëndrohet në prodhimin dhe shpërndarjen e drogave sintetike dhe problemet në përpjekjet nga ministria e brendëshme e Bullgarisë. Bazuar në informacionin e siguruar nga Agjensia Shtetërore Kombëtare e Sigurimit, paneli vuri në dukje një rënie të rëndësishme në numrin e laboratoreve të amfetaminës mbyllur nga policia në 2006 dhe 2007. Agjensitë e zbatimit të ligjit mbyllën nëntë njësi të tilla në 2004 dhe katër në 2005. Numri i tyre ra në dy në 2006 dhe vetëm një vitin e kaluar.
Po kështu, sasia e drogës së paligjëshme të kapur nga policia ra konsiderueshëm: nga 1,018 kg në 2005 në vetëm 169 kg në 2007.
Ligjebërësit ja veshën këtë rënie "praktikës alarmuese" të ministrisë së brendëshme, të rrjedhjes së informacionit ndaj kriminelëve nën hetim.
Ata u morën me çështjen midis skandalit të furishëm që përfshin kontakte të diskutueshme midis biznesmenëve mafiozë dhe zyrtarëve të lartë të ministrisë. Dy zyrtarë të lartë të policisë janë arrestuar.
Ka dalë gjithashtu se ministri i brendshëm Rumen Petkov ishte takuar me bosë të dyshuar të mafies, duke shkaktuar kërkesa për dorëheqjen apo shkarkimin e tij. Ai ka refuzuar të ikë dhe kryeministri Sergej Stanishev e përkrah atë.
Minço Spasov, kryetari i komitetit parlamentar, i tha gazetarëve të mërkurën se veprimet e Petkov qenë të dënueshme. "Po të isha në vendin e tij, unë do të largohesha," tha ai.
Javën e shkuar, partitë e opozitës në parlament bënë mocionin e tyre të pestë të mosbesimit ndaj qeverisë lidhur me këtë rast. Një votim pritet të premten.
BE që ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Bullgarinë për fushatën e vet jo efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, i kërkoi Sofjes këtë javë të merrte veprim urgjent, veçanërisht pas vrasjeve të dy figurave të rëndësishme. Borislav Georgiev, shefi i një kompanie energjie bërthamore dhe Georgi Stoev, autori i disa librave mbi mafien bullgare, u qëlluan për vdekje brenda 24 orësh.
"Të shtënat kanë vazhduar të ndodhin në një bazë të rregullt gjatë viteve të fundit dhe pa ndjekje të suksesëshme," tha zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) Mark Grej. "Kërkohet veprim urgjent."
Ekspertët e BE do të vizitojnë Bullgarinë muajin tjetër përpara një raporti të KE në korrik mbi përparimin e vendit në luftën kundër korrupsionit të lartë dhe vrasjeve me kontratë.
Më tepër se 150 vetë janë vrarë nga vrasës të bandave në Bullgari që nga 2001, pa asnjë të dyshuar të dënuar.