09/04/2008
Policia në BiH thotë se një grup të dyshuarish lidhur me lëvizjen Vahabi planifikonte të zgjonte grindjen etnike duke sulmuar kishat katolike.
Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë – 09/04/08
![]() Njësite anti-terroriste të ministrisë së brendshme të BiH kanë kryer dy bastisje në javët e fundit. [Getty Images] |
Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) kanë kryer një seri bastisjesh kohët e fundit për të kapur terroristët e dyshuar.
Të premten (4 prill) autoritetet arrestuan një person ende të paidentifikuar për lidhje të dyshuara me terrorizmin. Ministria e brendshme tha se i dyshuari kishte armë dhe shpërthyesa për përdorim terrorist.
Policia kontrolloi dy vende të tjera në lagjet Sedrenik dhe Bariçe të Sarajevës, ku gjeti materiale të përdorura për prodhimin e eksplozivëve. U gjetën edhe një minë, një granadë dore, municion dhe pajisje të tjera ushtarake.
Ishte bastisja e dytë anti-terroriste në javët e fundit, urdhëruar nga prokuroria e BiH. Në mars, një operacion më i madh u bë në Sarajevë dhe Bugojno.
Bastisja e mëparshme rezultoi në arrestimin e pesë terroristëve të dyshuar. Njëri më së fundi u lirua për mungesë provash.
Ministria e brendshme thotë se beson se një nga të pesë të dyshuarit, Rijad Rustempashiç, ishte kreu; një tjetër, Edis Veliç, thuhet se ka luftuar në Çeçeni.
Policia kontrolloi gjashtë shtëpi në bastisjet e marsit, duke gjetur sasi të mëdha armësh e pajisjesh ushtarake, mina anti-tank, pajisje lazer, pajisje elektronike, mina surprizë, harta topografike, skica, udhëzues për prodhimin e paisjeve shpërthyese, shpërthyes dhe objekte të tjera të dobishme për terroristët.
Të gjithë të dyshuarit janë të lidhur me lëvizjen Vahabi në BiH dhe janë burgosur për kontakte të dyshuara me Mirsad Bektasheviç, i cili vitin e shkuar u dënua me tetë vjet burg për përfshirje në përgatitjen e veprimeve terroriste.
Edis Veliç u padit për shtënien ndaj një shitësi rruge vitin e shkuar, ndërsa Rijad Rustempashiç dyshohet se është mbështetës i Jusuf Barçiç, udhëheqësi i dyshuar i lëvizjes së Vahabit të BiH i cili vdiq në një aksident me makinë vitin e kaluar.
Hetimi zbuloi se të dyshuarit pretendohet se po komplotonin akte terrorismi kundër kishave katolike anembanë BiH.
Veprimi i ministrisë së brendshme u krye në bashkëpunim me Agjensinë e Sigurimit dhe Zyrën e Prokurorisë së BiH dhe pason disa muaj hetimi e përgjimi.