Shqipëria do të privatizojë këtë vit tre kompani shtetërore

28/03/2008

Qeveria shqiptare po planifikon që deri nga fundi i vitit të privatizojë tre nga kompanitë më të rëndësishme shtetërore, pasuritë e fundit të mëdha publike.

Nga Jonilda Koçi për Southeast European Times në Tiranë – 28/01/08

photo

Banka Botërore ka në plan të ndihmojë Shqipërinë për ankandin e linjave të vjetra të shpërndarjes të njësisë së saj energjitike, KESH. [Getty Images]

Kryeministri Sali Berisha njoftoi në një takim kabineti në janar se qeveria ka ndërmend të privatizojë tre kompani të rëndësishme shtetërore të sektorëve të energjisë, naftës dhe sigurimeve deri nga fundi i vitit 2008.

"Ky vit do të shënohet nga një valë privatizimesh për shkak se ne e shohim veten si një qeveri liberale që beson në sipërmarrjen e lirë," u tha ministrave Berisha. Qëllimi i tij është të privatizohet KESH, dega shpërndarëse e njësisë energjitike të Shqipërisë, ARMO, rafineria e vetme e naftës e vendit dhe INSIG, e vetmja kompani shtetërore e sigurimeve.

Ministria e tregtisë, ekonomisë dhe energjisë njoftoi në 15 shkurt hapjen e tenderit ndërkombëtar për privatizimin e 85% të aksioneve të ARMO. Ofertat do të vlerësohen në 21 maj.

ARMO ka prodhuar interes nga së paku 20 kompani në një shitje që mund të rritet në 84.7 milion euro. Kompania amerikane Patton Boggs do të shërbejë si këshilltare ndaj qeverisë shqiptare.

Duke komentuar mbi shitjen, Berisha tha: "Një nga kriteret kryesore do t'i kërkojë kontraktorit të bëjë një investim që do të ndihmojë zhvilimin e këtij sektori kyç."

Qeveria ka miratuar gjithashtu privatizimin e industrisë së vet energjitike pas dy vite problemesh të furnizimit me energji. Ndërprerjet me hope të energjisë, duke përfshirë Tiranën, mund të rëndojnë mbi rritjen ekonomike, e cila është mesatarisht në 5% por që mund të bjerë në qoftë se kriza nuk zgjidhet.

KESH është e vetmja kompani që furnizon vendin me energji dhe ajo është kritikuar për shkak të krizave të njëpasnjëshme të energjisë. Në një orvatje për t'i zbutur ato, KESH ka marrë mbështetjen e qeverisë për t'u garantuar se ka financimin e nevojshëm për të importuar energji.

Për të lehtësuar privatizimin, KESH është ndarë në tre kompani më të vogla: shpërndarja, prodhimi dhe transmetimi i energjisë. Procesi do të mbikqyret nga Banka Botërore e cila do ta ndihmojë Shqipërinë në ankandin e linjave të vjetëruara të energjisë së KESH.

INSIG, ndërkohë, ka humbur mjaft nga pjesët e veta të tregut gjatë dekadës së fundit për shkak të rritjes së konkurrencës. Në korrik 2003, qeveria i shiti 40% të aksioneve të INSIG institucioneve financiare IFC dhe EBRD. Aktualisht kompania po përgatitet për privatizimin e plotë.

Përpjekja e privatizimit po strukturohet me ndihmën e Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Bankës Botërore dhe USAID.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading