Ripajtohen në BiH politikanët kryesorë muslimanë

27/03/2008

Për lehtësim të boshnjakëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, krerët e dy partive të mëdha boshnjake, Sulejman Tihiç i SDA dhe Haris Silajxhiç i SBiH, u pajtuan pas disa muajsh grindjesh politike.

Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë – 27/03/08

photo

Sulejman Tihic (majtas) dhe Haris Silajxhiç janë përleshur shpesh. [Dosje]

Dy krerët kryesorë boshnjakë janë pajtuar pas muajsh të tërë grindjesh, raportoi në 14 mars e përditëshmja me bazë në Sarajevë, Dnevni Avaz. Afrimi i tyre mund ta shpjerë përpara Bosnje dhe Herzegovinën (BiH) me reformën policore, një kërkesë kyçe e vënë nga BE.

Gazeta tha se kishte konfirmuar se kryetari i presidencës së rradhës të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) dhe kreu i Partisë për Bosnje dhe Herzegovinën (SBiH) Haris Silajxhiç ishte takuar me partnerin e tij të koalicionit, ish kryetar i presidencës së rradhës dhe udhëheqësi i tanishëm i Partisë për Veprimin Demokratik (SDA) Sulejman Tihiç. Gazeta nuk tha se ku u bë takimi.

Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak kishte kritikuar më parë politikanët boshnjakë për grindjet e tyre politike, që ai i përshkroi si të "papjekura". Media në vend ka raportuar gjithashtu se boshnjakët gjithnjë e më tepër i shohin të dy ata që të vënë egot e tyre mbi interesat e komunitetit boshnjak, pa përmendur BiH si një e tërë.

Sipas Dnevni Avaz, të dy ata ranë dakord se duhet rivendosur dialogu e besimi midis dy partive të mëdha boshnjake. Në 10 mars, thoshte gazeta, ata u takuan me një udhëheqës të opozitës boshnjake, kreun e Partisë Social Demokratike (SDP) Zlatko Lagumxhija, për të diskutuar çështje të ndryshme.

Lagumxhija thuhet se ka ngulmuar që të gjitha projektet e ardhëshme të ndërtimit për energjinë duhet të trajtohen në nivel shtetëror dhe jo në nivel partie. Ai vuri në dukje gjithashtu se i njëjti status projekti i nivelit shtetëror duhet të zbatohet për privatizimin e dy telekomeve shtetërore dhe ndërtimit të një seksioni udhëshpejte të korridorit Vc.

Nga ana e tyre, Tihiç dhe Silajxhiç mbështetën në parim miratimin e ligjit mbi marrjen e pasurisë së fituar paligjmërisht, i cili është dërguar në parlament nga SDP për herë të katërt.

Megjithatë, ajo që rrit shpresat midis komunitetit politik boshnjak është se tani duket e mundëshme që politikanët boshnjakë do të marrin një qëndrim të unifikuar mbi policinë dhe reformat kushtetuese.

BE ka kushtëzuar përparimin e mëtejshëm drejt pranimit me rregullimin e labirintit të sistemit policor. Brukseli thotë se organizimi i tanishëm është i paefektshëm dhe lejon kriminelët dhe trafikantët të shpëtojnë thjeshtë duke kapërcyer vijat etnike. Mundësitë për të nënshkruar një marrëveshje të stabilizimit dhe shoqërimit me BE janë shtyrë përsëritshëm për shkak të kësaj çështjeje.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading