27/03/2008
Një zëdhënës i KFOR paralajmëroi të mërkurën se çdo dhunë kundër paqeruajtësve ndërkombëtarë në Kosovë do të shkaktojë një përgjigje të duhur.
(Reuters, AKI, Balkan Insight, B92, New Kosova Report, Makfax - 26/03/08)
![]() Një polic ruan një protestë nga studentët serbë pranë urës kryesore në Mitrovicë. Paqeruajtësit e NATO-s thonë se kanë prova të forta se trazirat e 17 marsit qenë orkestruar nga Beogradi. [Getty Images] |
Ata që përdorin armë vdekjeprurëse kundër trupave të KFOR duhet të përgatiten të ndeshin një përgjigje të duhur, paralajmëroi të mërkurën (26 mars0 një zëdhënës për forcën paqeruajtëse të kryesuar nga NATO në Kosovë.
"Ne nuk jemi një forcë policore. Ne nuk kemi të njëjtat rregulla," tha koloneli Zhan-Luk Kotard në një konferencë shtypi në Prishtinë. "Mos prisni që KFOR të dërgojë lule atje ku ne goditemi."
Paralajmërimi erdhi pas përleshjeve të 17 marsit midis qindra protestuesve serbë dhe forcave ndërkombëtare, të përfshira në një operacion për rimarrjen e gjykatës së kontrolluar nga UNMIK në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës. Deri në 300 demonstrues serbë lokalë kishin zënë godinën me forcë tre ditë më parë, duke refuzuar ta linin atë.
Protestuesit përdorën armë automatike dhe hodhën granada, kokteje Molotov dhe gurë ndaj forcave ndërkombëtare gjatë përleshjes, më e rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 17 mars. Një polic 25-vjeçar ukrainas u vra gjatë dhunës dhe mbi 100 vetë nga të dy palët u plagosën; midis tyre është një serb vendas që ka qenë në koma prej ditësh.
Kotard, një oficer frëng, thotë se granadat e dorës të hedhura nga demonstruesit gjatë përleshjeve të Mitrovicës qenë M75, të bëra në ish Jugosllavi. Ato nuk shpërthyen, tha ai.
Granadat janë "përdorur për të vrarë njerëz gjatë një sulmi" tha ai duke i përshkruar protestat paqësore dhe sulmet e armatosura kundër forcave ndërkombëtare si dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
"Unë bëj një dallim të qartë midis qytetarëve dhe vrasësve," vuri në dukje Kotard gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me UNMIK, të mërkurën, duke shtuar se trupat e KFOR kanë të drejtë "të përdorin të gjitha mjetet e duhura" në përgjigje të sulmeve të dhunëshme ndaj tyre.
Zyrtarët ndërkombëtarë u thanë gjithashtu gazetarëve se kishin prova të forta të përfshirjes së zyrtarëve të ministrisë së brendëshme të Serbisë.
"UNMIK ka emrat e punonjësve të ministrisë së brendëshme të Serbisë që kryesuan drejt gjykatës në Mitrovicë në 17 mars," tha zëdhënësi i administratës së OKB në Kosovë, Aleksander Ivanko.
Ai pret që hetimi në vazhdim ndaj rastit do të nxjerrë si organizatorët dhe kryerësit e dhunës.
Ndërkohë, një raport të mërkurën nga e përditëshmja me bazë në Prishtinë, Koha Ditore sugjeron se zyrtarët e inteligjencës së UNMIK kanë zbuluar dhjetë zyra të ministrisë së brendëshme serbe që operojnë në Kosovë: tetë në Kosovën veriore, duke përfshirë tre në Mitrovicë. Dy të tjerat janë në Kosovën qendrore.
Shërbimet e fshehta serbe dhe Drejtoria e tyre "vijnë rrotull punës së tyre në një stacion të tillë krejtësisht të papenguar", sipas raportit.