Beogradi kërkon për ndarjen etnike të Kosovës

25/03/2008

Një marrëveshje e re propozuar UNMIK-ut nga zyrtarët serbë do të krijonte një "ndarje funksionale" midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Plani është kundërshtuar tashmë nga Prishtina, ndërkohë që serbët e Kosovës janë të ndarë lidhur me propozimin.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 25/03/08

photo

Ushtarët francezë të KFOR patrullojnë një urë që lidh Mitrovicën e jugut me atë të veriut. Pjesa veriore e qytetit u godit nga trazirat në 17 mars, ndërsa serbët lokalë sulmuan policinë e UNMIK. [Getty Images]

Serbia ka propozuar zyrtarisht ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike dhe i ka kërkuar OKB të garantojë që Beogradi të mund të kontrollojë institucionet dhe funksionet kyçe në zonat ku serbët janë një shumicë.

Në një dokument dërguar OKB javën e shkuar dhe botuar nga media e Serbisë dhe Kosovës të hënën (24 mars), Beogradi ngul këmbë që Serbia të lejohet të marrë përgjegjësinë për policinë, gjykatat, gjyqësorin dhe doganat në dhe rrotull Mitrovicës si dhe në enklavat e tjera serbe.

I përshkruar si një propozim për "ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës" nga ministri serb për Kosovën Slobodan Samarxhiç, propozimi është më i afërti që Serbia kërkon haptazi për ndarjen.

Marrëveshja, hartuar nga ministria e jashtme dhe ministria për Kosovën, është pjesë e një plani veprimi qeveritar serb aktivizuar kur Kosova shpalli pavarësinë.

Ndonse propozimi nuk është zbuluar zyrtarisht për publikun, raportet nga media në Beograd e Prishtinë nuk janë kundërshtuar nga qeveria serbe apo UNMIK.

Sipsa këtyre raporteve, një nga pikat kyçe është që policët serbë në Kosovë do të jenë nën autoritetet lokale serbe dhe të shërbejnë nën komandën e policisë së UNMIK dhe jo të Shërbimit Policor të Kosovës.

Serbët e Kosovës do të kishin të drejtën të "zgjidhnin rastet e tyre gjyqësore, ndërsa gjykatësit ndërkombëtarë të UNMIK janë përgjegjës për rastet që përfshijnë anëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike."

Beogradi thuhet gjithashtu se po propozon bashkëpunim më të madh midis Serbisë dhe UNMIK në shumë fusha, duke përfshirë policinë, gjyqësorin, doganat, transportin, kontrolin e kalimeve kufitare dhe mbrojtjen e të drejtave fetare, historike dhe kulturore. Plani bën thirrje për zhvillimin e tregtisë së lirë midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa i jep fund procedurave të tanishme doganore.

Siç pritej, qeveria në Prishtinë e hodhi poshtë planin. "Ky është një vazhdim i politikës dhe autoritetit hegjemonik të Beogradit," tha nënkryeministri Ram Manaj.

Sipas Manaj, UNMIK nuk mund të bëjë marrëveshje me "një vend fqinj" lidhur me Kosovën e cila shpalli pavarësinë nga Beogradi në 17 shkurt.

Propozimi ka shkaktuar gjithashtu një të çarë midis serbëve të Kosovës. Ata në veri të Kosovës janë përgjithësisht në favor të dokumentit ndërsa ata që jetojnë në jugë të lumit Ibar dhe janë rrethuar nga komunitete shqiptare, vënë në pikpyetje në se ai mund të zbatohej në enklavat e tyre.

Kreu i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, Momçillo Trajkoviç, nga Kosova qendrore, tha se plani do të ishte vështirë të zbatohej në praktikë po qe se shqiptarët nuk jepnin pëlqimin për të.

Goran Bogdanoviç, një zyrtar i Kosovës i Partisë Demokratike të presidentit serb Boris Tadiç, tha se ishte "shumë keq" që serbët kishin marrë vesh për planin nëpërmjet medias.

"Është një problem të shohësh orvatjet për të zgjidhur fatin e serbëve të Kosovës pa pyetur ata që jetojnë në Kosovë, ata, familjet dhe fëmijët e të cilëve jetojnë këtu," tha Bogdanoviç.

Ish ministri i jashtëm serb Goran Svilanoviç, i cili ka qenë shpesh kritik i strategjisë të qeverisë serbe për Kosovën, tani mbështet planin. "Është një propozim interesant i cili me të vërtetë hap çështjet e një ndarjeje që nuk është territoriale por e personalizuar," tha ai.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading