25/03/2008
Zyrtarët grekë qipriotë dhe turq qipriotë treguan të hënën se po bëjnë përparim të mirë në zbatimin e elementëve të një marrëveshjeje që krerët e tyre arritën javën e shkuar.
(Cyprus Mail, Zaman - 25/03/08; UN News Centre, AP, AFP, The Washington Times, CNA, New Europe, Cyprus Mail, Zaman, The New Anatolian, Hurriyet - 24/03/08; Reuters, AFP, FT, The New York Times - 22/03/08; AP, DPA, BBC, VOA, Cyprus Press and Information Office - 21/03/08)
![]() Presidenti qipriot Demetris Kristofias (majtas) mbajti bisedime me kreun turk qipriot Mehmet Ali Talat. [Getty Images] |
Sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki-mun uroi të hënën (24 mars) presidentin qipriot Demetris Kristofias dhe kreun turk qipriot Mehmet Ali Talat mbi marrëveshjen që arritën javën e shkuar për të rinisur bisedimete e ribashkimit brenda tre muajsh.
Marrëveshja u arrit të premten gjatë bisedimeve të para kokë më kokë të dy krerëve, që kur Kristofias fitoi balotazhin presidencial në 24 shkurt.
Gjatë bisedimeve, Kristofias dhe Talat vendosën se do të ngriheshin një numër grupesh pune dhe komitetesh teknike "në mënyrën më të shpejtë të mundëshme" për të përpunuar detajet e një marrëveshjeje ribashkimi. Të dy krerët duhet të takohen përsëri pas tre muajsh për të shqyrtuar përparimin e arritur nga këto panele dhe "për të përdorur rezultatet e tyre, për të nisur negociatat e plota " nën patronazhin e Ban, tha të premten përfaqësuesi i posaçëm i OKB në Qipro, Majkëll Moller.
Këshilltarët e Kristofias dhe Talat, George Iakovou dhe Ozdil Nami, që u ngarkuan me krijimin e paneleve, u takuan të hënën në rezidencën e të dërguarit të OKB për të filluar punën për negociatat e ardhëshme.
"Ne diskutuam çështjet me të cilat do të merren komitetet," tha më pas Iakovou. Duke shënuar "përparimin e madh" të bërë gjatë bisedimeve, ai sugjeroi se një marrëveshje mbi emrat e paneleve mund të arrihej deri të mërkurën. "Nuk është e kollajshme të përcaktohen axhendat e këtyre 12 apo 14 grupeve të punës dhe komiteteve teknike në një takim. Por unë shpresoj se nga fundi i javës do t'ja arrimë."
Iakovou dhe Nami pritet të takohen pothuajse çdo ditë këtë javë në një orvatje për të ngritur grupet e punës dhe komitetet përpara arritjes të dielën të një ekipi vlerësimi të OKB kryesuar nga nënsekretari i përgjithshëm për çështjet politike Lyn Paskoe.
Të dy palët po përqëndrohen gjithashtu në një tjetër element të marrëveshjes midis Kristofias dhe Talat, lidhur me rihapjen e një kalimi kyç në rrugën Ledra, rruga kryesore komerciale në Nikosia. Ajo është një simbol i madh i ndarjes 34-vjeçare të ishullit.
Kryebashkiakët grek qipriot dhe turk qipriot të kryeqytetit të fundit të ndarë të Evropës, Eleni Mavrou dhe Xhemal Metin Bulutoglulari, u takuan të hënën për të diskutuar përgatitjet për hapjen e kalimit i cili ka qenë mbyllur që nga 1963. Të dy ata thanë se qenë gati të merrnin hapat e nevojshëm sapo të kishin dritën e gjelbërt nga Forca Paqeruajtëse e OKB në Qipro (UNFICYP) që duhet së pari të pastrojë zonën nga ndonjë minë e pashpërthyer.
"Ne po presim OKB të na japë lejën për të vazhduar dhe do të vendosim po atë ditë," tha Bulutoglulari. "Ne na duhen pesë ditë së bashku për të përfunduar zonën për ndërtim dhe punë të siguruar, me shpresë, sapo të marrim lejen, ne do të fillojmë së bashku duke ndihmuar njeri tjetrin dhe do ta përfundojmë atë në fillim të muajit (prill). Por nuk e dimë datën," shtoi ai.