20/03/2008
Shqipëria po sheh më tepër investitorë të huaj se kurrë më parë dhe qeveria pret që kjo prirje të vazhdojë në qoftë se vendit i kërkohet të bashkohet me NATO pas samititi të Bukureshtit.
Nga Manjola Hala për Southeast European Times në Tiranë – 20/03/08
![]() Ekspertët presin investime në sektorin e energjisë këtë vit. [Getty Images] |
Me reformat fiskale në proces, përparimin në luftën kundër korrupsionit, normat e ulta të inflacionit dhe një bilanc negativ tregtar, Shqipëria po tërheq më tepër investime të huaja të drejtpërdrejta (FDI) me fitim të lartë dhe kosto të ulët pune.
Për shkak të aftësisë së FDI-ve për të prodhuar punë dhe për të kontribuar në zhvillimin afat-gjatë ekonomik, qeveria e ka bërë tërheqjen e tyre një përparësi.
Ekspertët presin të shohin investime kryesisht në sektorin e energjisë këtë vit si edhe në sektorët e burimeve natyrore dhe turizmit. Ndërtimi i hidro e termo centraleve, së bashku me privatizimin e degës shtetërore të shpërndarjes së elektricitetit dhe të kompanive të naftës e të sigurimit, ofrojnë mundësi për kompanitë e huaja që shohin për të investuar në Shqipëri.
Një program nxitës i investimit të huaj nisur nga qeveria ka dhënë tashmë rezultate. Në kuadrin e nismës "Shqipëria 1 euro" e cila ka për qëllim të tërheqë investitorët duke u ofruar firmave të huaja hyrjen në tregun shqiptar për 1 euro, konsorciumi grek Atremon SA - Roder & Blackwell Consulting fitoi tenderin për të rihabilituar një termocentral me gjashtë njësi.
Megjithse konsorciumi pagoi 1 euro për të hyrë në treg, ai do të investojë 100 milion euro në centralin i cili është ndërtuar nga kinezët në 1966 dhe ristrukturuar me teknologjinë çeke në vitet 1980.
Privatizimi i njësive shtetërore po përdoret gjithashtu për të joshur investitorët. Kompanitë austriake, çeke dhe italiane kanë shprehur interes në blerjen e degës shpërndarëse të kompanisë shtetërore të elektricitetit KESH. Ministria e ekonomisë, tregtisë dhe energjisë thotë se dega do të bëhet pronë e një kompanie të madhe të huaj energjitike këtë vit.
Përveç kësaj, privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës, ARMO ka treguar interes nga së paku 20 kompani. Shitja mund të rritet në 84.7 milion euro.
Kompania shtetërore e sigurimeve, INSIG është planifikuar gjithashtu për privatizim, ndërsa tre kompanitë më të mëdha private të sigurimit në Shqipëri janë blerë pjesërisht apo tërësisht nga grupe ndërkombëtare sigurimesh.
Burimet natyrore energjitike të Shqipërisë po tërheqin gjithashtu investitorë. Në fund të janarit, kompania austriake e energjisë EVN fitoi ofertën për një kontratë që ka për qëllim shfrytëzimin e potencialit hidroenergjitik të lumit Devoll me një prodhim vjetor prej 985,400 mwh.
Kompanitë konsultuese austriake e kanadeze po studjojnë shfrytëzimin e zonave të pasura me minerale në Shqipëri pas eksporteve të rritura të kromit, sipas burimeve qeveritare.
Me një infrastrukturë në zhvillim, nxitjen qeveritare dhe një rritje në numrin e turistëve, pjesërisht për shkak të rritjes së turizmit në vendet adriatike fqinje, turizmi shqiptar po bëhet gjithnjë e më tepoër tërheqës për kompanitë e huaja. Për shembull, një investim 500 milion euro i sistemit të hekurudhave nga China Railroad Construction Corporation pritet të rritë mundësitë udhëtuese.
Ndonse të ulta sipas standandardeve rajonale, duke tërhequr vetëm 195 milion euro deri në tetor 2007, investimet në Shqipëri janë rritur vitet e fundit. Analisti i The Economist Conferences Riçard Eames u tha gazetarëve se në qoftë se qeveria përmirëson ndjeshëm klimën, investimet do të vijnë. Do të dukej se qeveria po ndjek atë këshillë.