05/03/2008
Hekurudhat Serbe i është bindur udhëzimeve nga policia kufitare në Kosovë e cila i tha kompanisë se nuk mund t'i lëvizë trenat në jug të Leshak.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë – 05/03/08
![]() Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi (djathtas), kreu i UNMIK Joachim Ruecker (në mes) dhe komandanti i KFOR, gjeneral-lejtnant Xavier de Marnhac mbajnë një konferencë shtypi pas një takimi të martën (4 mars) në Prishtinë. [Laura Hasani] |
Autoritetet e UNMIK rimorën të martën (4 mars) kontrollin e një linje hekurudhore midis Zveçan dhe Leshak në pjesën veriore të Kosovës. Masa erdhi një ditë pasi kryetari i Hekurudhave Serbe, Branisalv Ristivojeviç, një këshilltar i afërt i kryeministrit serb Vojislav Koshtunica, njoftoi se kompania e tij kishte marrë përsipër rreth 60 km pjesë të shinave.
Rreth orës 9.35 a.m. të martën, policia kufitare i tha një përfaqësuesi të Hekurudhave Serbe se ajo nuk do të lejohej të dërgonte një tren në jug të Leshak, u tha gazetarëve kreu i UNMIK, Joachim Ruecker. Hekurudhat Serbe u bind, tha ai.
"Ndërhyrja e susksesshme nga policia kufitare e UNMIK-ut sot prapson kundërshtimin ndaj autoritetit të UNMIK që ndodhi dje kur Hekurudhat Serbe dërgoi në mënyrë të paligjshme dy nga trenat e saj në jug të Leshak," tha Ruecker duke shtuar se të tilla veprime nga kompania shkelnin një memorandum mirëkuptimi të 2003 nënshkruar nga paraardhësja e saj, Hekurudhat Jugosllave.
"UNMIK dhe partnerët e tij do të vazhdojnë të ndeshin çdo kundërshtim ndaj ligjit dhe rendit anembanë Kosovës," shtoi ai.
Ruecker, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe komandanti i KFOR, Xavier de Marnhac folën me gazetarët të martën pas takimit në një godinë të OKB-së në Prishtinë për të diksutuar incidentin hekurudhor dhe situatën e Kosovës në përgjithësi.
"KFOR është këtu për të mbështetur një situatë të sigurtë në të gjitha pjesët e Kosovës. Dhe gjithkush e di se KFOR, UNMIK dhe Shërbimi Policor i Kosovës kanë një bashkëpinim të mirë," tha de Marnhac.
Thaçi, ndërkohë, këmbënguli se qeveria e tij ka një mandat që mbulon të gjithë Kosovën dhe se "gjithkush do të ishte nën ligjin."
"Ne kemi sinjale se shtetasit janë gati ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë dhe të integrohen në këtë shoqëri," tha ai.
Në ditët e fundit, kryeministri ka vizituar Mitrovicën dhe zona të tjera të populluara nga serbë duke kërkuar të kontaktojë me njerëzit atje. Ai pranoi se situata në këto zona nuk ishte e njëjtë si në pjesë të tjera të Kosovës. Megjithatë, tha ai, "nuk ka panik apo atmosferë shqetësimi. Ata besojnë në institucionet e Kosovës."