27/02/2008
Kryeministri Hashim Thaçi ka dënuar reagimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës duke u përpjekur gjithashtu të qetësojë drojat e e serbëve dhe t'i bindë ata se kanë një vend në Kosovën e re të pavarur.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë -- 27/02/08
![]() Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi (djathtas), kreu i UNMIK-ut Joachim Ruecker (në mes) dhe komandanti i KFOR-it gjeneral-lejtnant Ksavie dë Marnhak, mbajnë një konferencë shtypi pas një takimi të hënën (25 shkurt) në Prishtinë. [Laura Hasani] |
Duke ju përgjigjur deklaratave serbe se vendi do të qeverisë pjesë të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi theksoi të martën (26 shkurt) se Kosova është e përgatitur të mbrojë territorin e vet.
"Unë jam vazhdimisht në kontakt me NATO për të ndaluar cilindo nga prekja qoftë edhe e një inçi (2.54 cm.) të territorit të Kosovës," tha Thaçi sipas Reuters. "Ne i kuptojmë dhe respektojmë reagimet paqësore të garantuara nga ligji por ne nuk do të lejojmë të kompromentohet integriteti territorial i Kosovës."
Thaçi e bëri deklaratën gjatë një vizite në fshatin qendror të Raçak ku forcat serbe vranë shqiptarët e Kosovës në 1999 përpara se të ndërhynte NATO. Ai po reagonte ndaj deklaratave të së hënës bërë nga zyrtarët serbë që ngulmuan se Beogradi do të vazhdojë të qeverisë zona në Kosovë që kanë një shumicë të popullsisë serbe.
Ndërsa dënonte qëndrimin e Beogradit, Thaçi u përpoq gjithashtu të zbusë frikën e serbëve dhe t'i bindë ata se kanë një vend në Kosovën e sapo bërë të pavarur. Të dielën ai u bëri thirrje atyre të besojnë në institucionet e Kosovës.
"Unë do t'i ndihmoj serbët të integrohen në shtetin e ri të Kosovës," tha Thaçi duke theksuar se KFOR dhe Shërbimi Policor i Kosovës e kanë situatën nën kontroll. "Nuk ka arsye për panik."
Duke ju referuar protestave të ngritura në Serbi dhe enklavat serbe, ai i quajti ato "naive". Të tilla demonstrime "nuk kanë ndonjë lidhje me shtetasit serbë të Kosovës", tha ai.
Të martën, ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i BE në Kosovë Peter Feith tha se nuk do të përkulet ndaj presionit që ka për qëllim pengimin e vendosjes së misionit EULEX të BE. Kreu i misionit, gjeneral-lejtnant Yves de Kermabon, shtoi se ai pret që misioni të nisë vendosjen në Kosovën e veriut javën e ardhshme.
BE do të presë pak më gjatë për të parë si zhvillohen gjërat, tha Kermabon, por EULEX do të vendoset në veriun e trazuar. Ai tha se BE do të ketë 800 policë në Kosovë deri në mes të qershorit.
Javën e shkuar, Feith tërhoqi përkohësisht të gjithë personelin nga pjesa veriore e mbizotëruar nga serbët e Kosovës për shkak të shqetësimeve të sigurisë lidhur me demonstrimet e serbëve të Kosovës dhe përshkallëzimin e mundshëm të dhunës atje.
"Ne kemi tërhequr përkohësisht personelin tonë por do të mbnajmë zyrën tonë në veri," u tha Feith gazetarëve gjatë një vizite në Prizren.