21/02/2008
Republika Srpska do të kërkojë pavarësi në qoftë se statusi i saj brenda Bosnje dhe Herzegovinës kërcënohet, tha kryeministri i njësisë në vërejtjet e botuara të mërkurën.
(Reuters, DPA, AP, Balkan Insight, B92 - 20/02/08; Balkan Insight -- 18/02/08 - 19/02/08; Office of the High Representative - 18/02/08)
![]() Kryeministri i Republika Srpska Milorad Dodik. [Getty Images] |
Pavarësia e Kosovës nuk ofron një arsye për Republika Srpska (RS) që të nxisë për shkëputje nga Bosnje dhe Herzegovina (BiH), vuri në dukje kryeministri i njësisë në vërejtjet e botuara të mërkurën (20 shkurt). Por Milorad Dodik, i cili kryeson gjithashtu Aleancën serbe boshnjake të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) nuk e përjashton një opsion të tillë po të kërcënohej në një farë mënyre statusi i njësisë.
Dodik tha se partia e tij "do të kërkojë një referendum pavarësie në qoftë se statusi i (RS) vihet në pikpyetje, gjë që nuk ndodhi për shkak të pavarësisë së Kosovës. Unë mendoj se pavarësia e Kosovës vetëm e forcoi Republika Srpska," DPA e citoi atë të thoshte në vërejtjet botuar në edicionin e së mërkurës të së përditëshmes së Banja Lukës, Glas Srpske.
Janë rritur thirrjet nga nacionalistët e vijës së ashpër serbë boshnjakë që RS të ndjekë shembullin e Kosovës. Branislav Dukiç, kreu i organizatës SPONA e cila përbëhet nga disa grupe veteranësh të luftës dhe pretendon të përfaqësojë 70% të të gjithë popullsisë, i ka kërkuar parlamentit të shpallë vetë-vendosjen. Menjëherë pasi asambleja e Kosovës miratoi deklaratën e vet të pavarësisë, krerët e Partisë Radikale dhe opozita kryesore Partia Demokratike serbe, kërkuan që RS të ndiqte shembullin.
Dodik, i cili ngriti çështjen e një referendumi të mundshëm pavarësie në njësi pasi Mali i Zi votoi t'i jepte fund lidhjeve të veta me Serbinë në maj 2006, e ka zbutur retorikën e tij në muajt e fundit. Në intervistën e tij ai akuzoi partitë që diskutojnë shkëputjen e RS se kërkojnë përfitim politik.
"Unë po ashtu nuk jam njeri pa emocione, kush nuk do t'i donte shumë gjëra përnjëherësh, por disa nga ta janë fare jo realistë," i tha Dodik të përditëshmes serbe boshnjake. "Duhet të punojmë ngadalë, me racionalitet e mençuri. Ne mund të bëjmë më shumë dëm se mirë nga masat e nxituara."
Ai gjithashtu tregoi se qëllimi i tij tani ishte të forconte autonominë e RS.
Një raport i Reuters të mërkurën citoi një deklaratë nga partia e tij SNSD që thoshte se do t'i rezistonte kërkesave të Perëndimit që RS të jepte më tepër pushtete të vetat për qeverinë qendrore të BiH.
"Transferimi i pushtetit në Sarajevë është ndalur," thoshte partia e Dodik, duke shtuar se ajo do të vazhdonte të ndiqte këtë kurs deri sa ajo të kishte "efekte të mëdha kushtetuese dhe afat-gjata".
Glas Srpske botoi intervistën me kryeministrin një ditë përpara se anëtarët e parlamentit të RS të diskutonin ngjarjet e Kosovës në një sesion të posaçëm të enjten.
Sipas B92 me bazë në Beograd, Dodik mohoi zërat se ligjebërësit do të miratonin një deklaratë që thoshte se RS duhej të kishte të drejtën të shkëputej nga BiH në qoftë se pavarësia e Kosovës njihet nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB. Dodik thotë se panelet parlamentare po hartojnë një deklaratë të tillë por "nuk ekziston dokument i tillë zyrtar" tani.
Zyrtarët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo përpjekje për të lidhur artificialisht situatën e RS me të Kosovës, do të kundërshtohet.
"Republika Srpska nuk ka të drejtë të shkëputet nga Bosnja; në të njëjtën kohë askush nuk ka të drejtë njëanshmërisht të shfuqizojë Republika Srpska," tha së fundmi Përfaqësuesi i Lartë Mirosalv Lajçak.