20/02/2008
Shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana u tha gazetarëve të martën pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi se BE është e bashkuar në synimin e saj për të sjellë misionin EULEX për të ndihmuar Kosovën.
Nga Blerta Foniqi–Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë - 20/02/08
![]() Shefi i politikës së jashtme Havier Solana (majtas) u takua me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, në Prishtinë. [Laura Hasani] |
Shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana arriti në Prishtinë të martën (19 shkurt), zyrtari i parë i nivelit të lartë që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë. Ai ishte atje për të risiguruar krerët se BE nuk është e ndarë mbi pavarësinë e Kosovës.
Solana i siguroi ata se BE është e bashkuar në vendimin e saj për të vendosur një mision policor e gjyqësor në Kosovë. Misioni 1,800-vetësh i BE, i quajtur EULEX nisi zyrtarisht të shtunën dhe do të jetë plotësisht operativ pas 120 ditësh.
"BE është kaq e bashkuar...sa që ne do të sjellim njerëzit këtu," u tha Solana presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi.
Solana gjithashtu tha se "Bashkimi Evropian nuk njeh vende, atë e bëjnë vendet anëtare të BE dhe ato e bëjnë këtë sipas legjislacionve të tyre kombëtare".
Që nga e marta, një shumicë e vendeve të BE ka thënë tashmë se do të nisnin zyrtarisht lidhje diplomatike me vendin më të ri në kontinent.
Jo të gjitha vendet e BE megjithatë, e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Në një takim të ministrave të jashtëm të BE në Bruksel të hënën, anëtarët hartuan një deklaratë mbi Kosovën që pasqyronte faktin se Qiproja dhe Spanja kryesonin një grup vendesh që janë kundër njohjes së masave të njëanshme. Kjo deklaratë u miratua nga një numër i madh vendesh të BE.
Megjithatë, Solana tha se BE është e hapur për të gjitha vendet, duke përfshirë Kosovën. Ai shtoi se "ne ndajmë lumturinë me popullin e Kosovës. Kjo energji tani duhet të transformohet në punë".
Solana i bëri thirrje popullit e qeverisë "të transformojnë gëzimin e tyre në energji konstruktive e pozitive për të ndërtuar Kosovën".
Tensionet megjithatë po rriten në rajon për shkak të shpalljes së pavarësisë. Thaçi ju drejtua çështjes duke thënë se vendi është i vendosur të jetë një shtet për të gjithë qytetarët dhe që garanton të drejtat e të gjitha pakicave, veçanërisht serbëve.
Ai tha se edhe incidentet më të vogla qenë fryrë në përmasa nga mediat. "Gjithshka është nën kontrollin e autoriteteve të sigurisë."
I pyetur se çdo të bëjë BE rreth faktit se serbët në Kosovën veriore nuk e pranojnë EULEX, Solana u përgjegj se misioni "duhej të bënte punën e tij në krejt territorin, jo vetëm në disa pjesë".
Solana u shoqërua nga kreu i ardhshëm i EULEX, gjenerali frëng Yves de Kermabon si edhe nga i dërguari i BE në Kosovë Pieter Feith.