20/02/2008
KFOR ishte i detyruar të rriste praninë e vet në veriun e Kosovës të martën pasi grupet e protestuesve serbë etnikë sulmuan dhe shkatërruan dy pika të kalimit kufitar.
(Reuters, DPA, Washington Post, The New York Times, The Guardian, BBC, Blic - 20/02/08; AFP, AP, Reuters, DPA, Deutsche Welle, Balkan Insight, Beta, B92 - 19/02/08)
![]() Një pikë kufitare që lidh Serbinë me qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës, u dogj të martën (19 shkurt). Serbët, të zemëruar ndaj shpalljes së pavarësisë nga Kosova, shkatërruan dy pika kalimi kufitar, duke bërë që të ndërhynin forcat e NATO-s. [Getty Images] |
Duke dënuar sulmet ndaj dy pikave të kalimit në Kosovën veriore të martën (19 shkurt), përfaqësuesit e lartë të OKB-së dhe NATO në shtetin më të ri të Evropës paralajmëruan kundër çdo provokacioni të mëtejshëm.
"Çdo dhunë është krejtësisht e papranueshme dhe nuk do të tolerohet," tha shefi i UNMIK Joachim Ruecker në një deklaratë disa orë pasi grupe të serbëve të Kosovës shkatërruan postat e Jarinje dhe Brnjak në kufirin me Serbinë.
Ai tha se pret që qytetarët "të ushtrojnë qetësi e të respektojnë UNMIK dhe KFOR i cili do të vazhdojë me zell të garantojë një mjedis të sigurtë e të parrezikuar."
Deri në 3,000 serbë të Kosovës, disa prej tyre të maskuar, u thanë se qenë përfshirë në sulmet ndaj dy kalimeve kufitare, organizuar dy ditë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Duke përdorur buldozerë dhe shpërthyes plastikë, turmat sulmuan së pari kalimin kufitar të Jarinje në Lepopsaviç, duke i vënë flakën godinave të doganës dhe të shërbimit policor kufitar.
Posta e Brnjak pranë Zubin Potok, rreth 30 km në veri të Mitrovicës, gjithashtu u shkatërrua dhe u dogj në sulmin e dytë pak më vonë. Policët e Kosovës dhe nëpunësit e doganës të OKB-së që shërbenin atje qenë të detyruar të kërkonin strehim në një tunel aty pranë.
"Ishte shumë e rrezikshme. Policëve ju desh të tërhiqeshin e të thërrisnin për ndihmë paqeruajtësit e NATO-s," tha pas incidenteve në postat kufitare të paijsura me policë nga Kosova dhe UNMIK, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës (KPS) Veton Elshani. "Ata i përzunë forcat e KPS dhe doganierët nga postat e Jarinje dhe Brnjak. Godinat dhe makinat u shkatërruan," shtoi ai duke vënë në dukje se nuk pati viktima.
Kreu i Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën e Veriut Milan Ivanoviç më pas u tha gazetarëve se protestat qenë shkaktuar nga zërat se policët shqiptarë etnikë të doganës "po planifikonin të merrnin dy kalimet kufitare dhe të prisnin lidhjet me Serbinë".
Pas sulmeve, UNMIK tha se dy kalimet do të mbylleshin për 24 orë. KFOR dërgoi helikopterë dhe makina të blinduara për të evakuuar zyrtarët e OKB-së dhe policët e Kosovës që shërbenin atje dhe pastaj rriti praninë e vet në zonë.
"Gjithkush duhet të përmbahet prej deklarimeve apo akteve provokative," tha në një deklaratë komandanti i KFOR-it, gjeneral-lejtnant Ksavie dë Marnhak. "KFOR do të reagojë me forcë kundër çdo individi apo grupi që priret të dëmtojë mjedisin e sigurtë e të parrezikuar dhe lirinë e lëvizjes në gjithë Kosovën."
Koloneli Bertrand Bono, një zëdhënës për forcën 16,000 vetëshe të udhëhequr nga NATO, i tha DPA se një "autokolonë me rreth 70 makina, duke përfshirë dhjetë autobuzë" kishte kaluar në Kosovë nga Serbia në kohën e sulmeve. Rrugët që të shpinin në kalimet kufitare u mbyllën më pas.
Ndërsa mohonte përfshirjen e vendit të tij në incidentet, ministri serb për Kosovën Slobodan Samarxhiç tha se sulmet qenë "të ligjshme".
"Veprimi i sotëm është në përputhje me politikat e përgjithshme qeveritare," i tha ai televizionit privat të Serbisë B92. "Beogradi ka synimin të marrë doganat në Kosovën veriore. Pikat doganore qenë synuar të bëheshin pjesë e kufirit shtetëror [të Kosovës] dhe ne nuk do të lëmë që kjo të ndodhë."