11/02/2008
Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan përshëndeti votën parlamentare si një triumf për demokracinë, por sekularistët turq e shohin atë si një kërcënim të ndarjes së fesë nga shteti.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times – 11/02/08
![]() Një reklamë e shalleve të kokës varet në një dyqan të Stambollit. [Getty Images] |
Parlamenti votoi të shtunën (9 shkurt) për të lejuar shallet islamike në universitete, duke i dhënë një fitore Partisë me rrënjë islamike për Drejtësi e Zhvillim (AKP). Të hënën, gratë me shalle koke u lejuan të hyjnë në universitete në qytetet Kocaeli, Adana dhe Dijarbakir edhe pse legjislacioni, i cili kërkon nënshkrimin e presidentit Abdullah Gul, nuk ka hyrë ende në fuqi.
Ndërkohë, dhjetra mijra vetë protestuan në Ankara kundër masës së parlamentit. Sekularistët turq, ku përfshihet ushtria ende e fuqishme, gjyqësori dhe akademikët, e shohin shallin e kokës si një simbol të Islamit politik, një lëvizje në rritje në Turqi që është kundër ndarjes strikte të shtetit me fenë.
Kundërshtarët thonë se heqja e ndalimit do të rritë presionin social ndaj grave për të vënë shallet e kokës, veçanërisht në qytetet e vegjël. Ata parlajmërojnë se shoqëria turke do të bëhet më e polarizuar, me universitetet që do të bëhen fusha të mëdha të luftës ideologjike.
Ushtria ka mbetur e heshtur gjatë debateve të fundit por gjykatësit e lartë dhe rektorët e universiteteve dënuan ndryshimet si "jokushtetuese". Partia kryesore opozitare Popullore Repiublikane (CHP) u zotua të apelonte në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar që të përmbyset vendimi.
Sipas kreut të AKP, kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, megjithatë, vota e parlamentit ishte një triumf për demokracinë dhe drejtësinë. Duke folur të dielën për rreth 15,000 emigrantë turq në Këln, Gjermani, ai këmbënguli se "reformat për liri më të gjera në Turqi" do të vazhdonin. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi shoqërinë turke për çorientimin e moralit.
"Turqia ka dështuar të importojë shkencë nga bota perëndimore dhe në vend të kësaj ka importuar sjellje imorale nga Perëndimi," i tha Erdogan dëgjuesve të tij kryesisht konservatorë prej emigrantësh turq në Gjermani. Vërejtjet e tij u përshëndetën me duartrokitje entuziaste.
BE nuk pati komente për votimin e së dielës. Por raportuesja për Turqinë në Parlamentin Evropian është e shqetësuar.
"Unë jam e shqetësuar se ky debat i ndezur aktual në Turqi mund të çojë në heqjen e ndalimit ndaj një presioni moral që gratë të mbajnë shalle në universitete," tha Ria Omen-Ruijten. Por ajo shtoi se Evropa nuk përzjehet në çështjen dhe nuk do të japë gjykim rreth saj.
Irani, fqinji i Turqisë, i cili është nën një regjim strikt islamik, përshëndeti masën e parlamentit turk. Hojatoleslam Biriya, një këshilltar i lartë pranë presidentit iranian Mahmud Ahmedinexhad i tha shtypit se kjo tregon përhapjen e Islamit në Turqi.
Të gjitha gratë në Iran, duke përfshirë të huajat, janë të detyruar në publik të mbajnë një shall koke, u kujtoi Biriya gazetarëve.
Ndalimi i shalleve të kokës në universitetet e Turqisë shkon prapa në vitet 1980. Ai u shtrëngua ndjeshëm në 1997 kur gjeneralët e ushtrisë, me mbështetjen e publikut, rrëzuan një qeveri që ata e gjykonin tepër islamike.
Disa gra studente turke dërguan ankesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) në vitet e fundit, duke argumentuar se ndalimi shtetëror cënoi të drejtat e tyre për arsim dhe përbënte diskriminim.
Në 2005, gjykatësit e ECHR ju përmbajtën ndalimit në rastin shembull të Lejla Shahin. Ata thanë se ishte e justifikuar bazuar në atë që Turqia i shmanget dhënies së preferencave të ndonjë feje në sferën publike dhe se autoritetet po kërkonin të mbanin rendin publik.
"Gjykata nuk harroi faktin se kishte lëvizje politike ekstremiste në Turqi që kërkonin të vinin mbi shoqërinë si të tërë, simbolet e tyre fetare dhe konceptimin e një shoqërie bazuar në normat fetare," tha gjykata.
Erdogan ishte mosbesues. "Jam i habitur me këtë vendim," tha ai. "Gjykata evropiane nuk ka të drejtë të flasë mbi këtë çështje të shalleve. E drejta i takon ulëmës (të diturve) islamikë."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes