01/02/2008
Duke ju kundërvënë planeve të qeverisë për të privatizuar terminalet, punëtorët në të dy portet kryesore komerciale në Greqi nisën një grevë 48 orëshe të mërkurën.
Nga George Anagnostopulos për Southeast European Times në Athinë – 01/02/08
![]() Punëtorët e dokut në portin e Selanikut demonstrojnë kundër planeve për të privatizuar terminalet e kontejnerëve. [Getty Images] |
Punëtorët në dy portet kryesore të Greqisë, Pireut dhe Selanikut, nisën një grevë 48-orëshe të mërkurën (30 janar) kundër vendimit të qeverisë për të privatizuar terminalet e kontejnerëve.
Kjo grevë pason një protestë të 15 janarit, ku policia përdori gaz lotësjellës për të shpërndarë punëtorët e dokut në të dy portet. Gjatë protestës, punonjësit e portit në Selanik hynë brenda një godine ku përfaqësuesit e ministrisë së transportit dhe tregtisë detare po diskutonin për planet e privatizimit. Punëtorët në të dy portet pretendojnë se privatizimi do të shpjerë më së fundi në shkurtim të punëve.
Por sipas ministrit të marinës tregtare Jorgos Vulgarakis, lejimi i investitorëve privatë në stacionet e kontejnerëve do të ndihmojë Greqinë të luajë një rol kyç në rajon duke u bërë një nyje shpërndarëse e rëndësishme.
Deri tani, tenderi ka tërhequr interesimin e grupeve në Danimarkë, Kinë, Izrael, Emiratet e bashkuara Arabe dhe Zvicër. Disa nga palët e interesuara ka gjasa të orvaten të formojnë aleanca, ndoshta duke përfshirë edhe një partner grek, në mënyrë që të mbërrijnë në një ofertë fituese. Vulgarakis mori autorizimin të paraqesë një projekt-ligj në parlament që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në të dy portet, gjatë një takimi kryesuar nga kryeministri Kostas Karamanlis të martën.
Ai thotë se projekt-ligji mbron të drejtat e punonjësve që duan të mbajnë punët e tyre. Vulgarakis thotë se se ai u jep atyre mundësinë të bëjnë një largim vullnetar me stimuj shumë të rëndësishëm dhe të drejtën për të patur pjesë në fitimet e kapitalit të autoriteteve të portit të Pireut dhe Selanikut. Përveç kësaj, projekt-ligji i lejon fëmijët e punëtorëve të pajtohen në punë në një normë 10% bazuar në atë që ata përmbushin kushtet e vëna nga kontraktorët e projektit.
Megjithatë, nënkryetari i partisë Koalicioni i Majtë Radikal (SYRIZA) Panajotis Lafazanis tha se partia e tij ishte kundër projekt-ligjit dhe planeve të privatizimit të qeverisë. Është një politikë e rrezikshme të shesësh pasurinë greke, tha ai.
Administrata e Autoritetit të Portit të Pireut (OLP) u dërgoi një letër punonjësve duke u kërkuar atyre të pushojnë grevën dhe të kthehen në tryezën e negociatave të premten në mënyrë që porti të kthehet në veprimet normale dhe të rivendoset një klimë e besimit të mirë.
"Ne ju ftojmë të ktheheni në dialog sepse kemi interesa të përbashkëta dhe përplasja do të rezultojë në asnjë fitues," thoshte letra e OLP. Ajo shtonte se greva ka rezultuar tashmë në pasoja serioze financiare, komerciale dhe shoqërore, pasi që nga e mërkura më tepër se 8,000 kontejnerë kishin mbetur në port.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes