17/01/2008
Kosova nuk do të hyjë kurrë në OKB apo në organizatat e tjera politike ndërkombëtare po qe se shpall pavarësinë, paralajmëroi Rusia në takimin e Këshillit të Sigurimit të mërkurën, ndërsa vendet perëndimore përsëritën mbështetjen e tyre për kursin e krahinës drejt shtetformimit.
(BBC, DPA, VOA, Euronews, Blic - 17/01/08; Reuters, AP, AFP, Beta, B92, UN - 16/01/08)
![]() "Ata [Kosova] nuk do të bëheshin anëtarë të OKB-së, nuk do të bëheshin anëtarë të institucioneve politike ndërkombëtare...në qoftë se nuk ndjekin rrugën e deklarimeve të njëanshme," u tha gazetarëve ambasadori rus në OKB Vitali Çurkin. [Getty Images] |
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua të mërkurën (16 janar) për të diskutuar raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-mun mbi veprimtaritë e UNMIK dhe zhvillimet në Kosovë gjatë tremujorit të fundit të 2007. Dështimi për të shkuar përpara drejt zgjidhjes së statusit të ardhshëm të krahinës mund të rrezikonte stabilitetin rajonal dhe arritjet e OKB-së në Kosovë, paralajmëronte raporti.
"Shkuarja përpara me një proces për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të mbetet një përparësi e lartë për Këshillin e Sigurimit dhe për komunitetin ndërkombëtar," thoshte sekretari i përgjithshëm. Pas 18 muaj bisedimesh të mbështetura ndërkombëtarisht midis Beogradit e Prishtinës nuk dhanë një marrëveshje, krerët e shumicës shqiptare etnike prej 90% Kosovës po planifikojnë tani miratimin e një shpalljeje të njëanshme të pavarësisë nga Serbia.
Presidenti serb Boris Tadiç, vendi i të cilit i kundërvihet orvatjes së krahinës për shtet më vete dhe ofron në vend të kësaj autonomi të gjerë, i kërkoi Këshillit të Sigurimit të mërkurën të parandalonte një masë të tillë. Ai kërkoi gjithashtu negociata të mëtejshme drejt një kompromisi të pranueshëm nga të dy palët.
Tadiç siguroi gjithashtu organizmin 15-vendesh se vendi i tij "nuk do të përdorte dhunën dhe luftën". Por në qoftë se dhuna shpërthente në krahinë dhe në qoftë se KFOR ishte i paaftë të mbronte siç duhet serbët e Kosovës, "ne jemi gati... të ndihmojmë t'i japim mbrojtje popullsisë së kërcënuar" në marrëveshje me institucionet kompetente ndërkombëtare, shtoi ai.
Duke përshëndetur zotimin e Tadiç se Serbia do të përmbahet nga dhuna, ambasadori i SHBA në OKB Zalmai Khalilzad i kërkoi gjithashtu Beogradit të përmbahet nga vënia e "masave ekonomike" mbi Kosovën, që thuhet se mund të përfshijnë ndërprerjen e furnizimeve me energji për krahinën. Ai këshilloi gjithashtu vendin kundër marrjes së ndonjë mase që mund të prishte marrëdhëniet afat-gjata me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE, shumica e të cilave pritet të bashkohen me Uashingtonin në njohjen e e një Kosove të pavarur edhe pa miratimin e OKB-së.
Rusia, një nga pesë vendet me veto të Këshillit të Sigurimit, ka mbështetur Serbinë në kundërshtimin e saj për dhënien krahinës të çfarëdo forme shteti më vete dhe është zotuar të bllokojë çdo vendim të OKB-së mbi të ardhmen e Kosovës që nuk është i pranueshëm për Beogradin. Ambasadori i Rusisë Vitali Çurkin, këmbënguli të mërkurën se statusi përfundimtar i krahinës është çështje e Këshillit të Sigurimit, jo e BE dhe vendet anëtare të saj duhet të përgatisin një udhëzues drejt një zgjidhje të negociuar.
Çurkin paralajmëroi gjithashtu se një Kosovë e pavarur nuk do të bëhej kurrë një anëtare e OKB-së apo organizatave politike ndërkombëtare. "Duke ndjekur rrugën e masave të njëanshme, Kosova nuk do të bashkohet me radhët e anëtarëve me njohje të plotë të komunitetit ndërkombëtar," tha ai.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili u lejua vetëm t'i drejtohet Këshillit të Sigurimit gjatë një pjese me dyer të mbyllura të sesionit të së mërkurës, shprehu vendosmërinë e krahinës për të vazhduar me shpalljen e pavarësisë, duke u thënë gazetarëve se kjo është e domosdoshme për stabilitetin rajonal.
"Kosova ka ngritur institucionet demokratike dhe shumëetnike dhe është gati për një vendim përfundimtar," tha ai, duke u zotuar se ajo do të bëhej një "vend i mundësive të barabarta për të gjithë shtetasit e vet". Ai tha gjithashtu se do të punonte për nxitjen e marrëdhënieve të mira me Serbinë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes