26/12/2007
Parlamenti serb pritet të miratojë një rezolutë të re që përshkruan Kosovën dhe integrimin në BE si përparësitë kryesore të vendit ndërsa potencialisht bën gati skenën për ftohje të mëtejshme nga Perëndimi.
(Blic, Beta - 26/12/07; AFP, AP, DPA, Balkan Insight, Beta, B92, Serbian Government - 25/12/07)
![]() Parlamenti i Serbisë do të debatojë projekt-propozimin mbi Kosovën. [Dosje] |
Shumica e ligjbërësve serbë pritet të mbështesë një rezolutë të re të mërkurën (26 dhjetor) që përsërit pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe kërcënon masa hakmarrëse kundër vendeve që mund ta njohin pavarësinë e krahinës.
"Kosova do të konsiderohet si një pjesë përbërëse e Serbisë në çështjet e brendshme dhe të jashtme," lexohet në propozimin që i detyron institucionet dhe zyrtarët serbë të mbështesin këtë qëndrim deri sa "të gjendet një zgjidhje kompromisi ndaj çështjes bazuar në rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të OKB-së]."
Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës të Serbisë, Partia Demokratike (DS) e presidentit Boris Tadiç dhe Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e kryeministrit Vojislav Koshtunica, ranë dakord të hënën natën mbi tekstin e rezolutës dhe e dërguan atë tek partitë e tjera në parlament.
Ajo u hartua dy javë pasi Beogradi e Prishtina dolën nga 18 muaj bisedime të ndëmjetësuar ndërkombëtarisht që kishin për qëllim zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ndërsa teknikisht ende pjesë e Serbisë, krahina ka qenë de facto protektorat i OKB-së që nga fundi i konfliktit 1998-1999.
Me bisedimet që dështuan të japin një marrëveshje, shumica shqiptare e Kosovës po planifikon tani miratimin e një deklarate të njëanshme pavarësie pas balotazhit të pritur presidencial serb në 3 shkurt. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE kanë sinjalizuar gadishmërinë e tyre për të njohur një Kosovë të pavarur edhe pa miratimin e OKB-së.
Gjatë gjithë procesit negociues, Beogradi ka ofruar vetëm autonomi të gjerë dhe ka kundërshtuar çdo plan për ta vënë krahinën në udhën e shtetformimit, duke përfshirë propozimin e ish të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisaari për t''i dhënë pavarësi të mbikqyrur ndërkombëtarisht.
Rezoluta e propozuar nga qeveria serbe paralajmëron se Beogradi mund të ulë marrëdhëniet diplomatike me çdo vend që mund të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Çdo akt deklarimi dhe njohje e pavarësisë së Kosovës ashtu si dhe çdo veprimtari në komunitetin ndërkombëtar që do të rezultonte nga këto akte, pavarësisht se kush i miraton dhe vë në zbatim ato, do të deklarohet i anulluar e i pavlefshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Serbisë," lexon dokumenti.
Së bashku me Kosovën, dokumenti përmend gjithashtu integrimin në BE si një përparësi kryesore për Serbinë. Por ai paralajmëron gjithashtu se çdo marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga vendi, duke përfshirë marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) me Bashkimin, duhet të kontribuojë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.
Më tej akoma, ai denoncon planet e bllokut 27-vendesh për të vendosur një mision drejtësie e policie prej 1,800 vetësh në Kosovë, në krye të vitit të ardhshëm.
"Parlamenti deklaron se realizimi i misionit të propozuar të BE për zbatimin e planit të kundërshtuar të Marti Ahtisaarit do të ishte një akt që kërcënon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Serbisë," thoshte dokumenti. "Parlamenti i kërkon qeverisë të arrijë marrëveshje me BE që asnjë mision i BE të mos hyjë në territorin serb apo në Kosovë, pa një rezolutë korresponduese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së."
Duke kritikuar NATO mbi rolin e vet të përgjithshëm në Kosovë, propozimi thoshte gjithashtu se Serbia duhet të shpallë "neutralitet ushtarak në kuadrin e aleancave ekzistuese ushtarake deri sa të vendoset ndryshe nga një referendum".
Shumica e partive pritet ta mbështesin dokumentin e propozuar gjatë votimit të mërkurën. Por kreu i Partisë Liberal Demokratike Çedomir Jovanoviç kishte vërejtje duke thënë se një rezolutë e tillë do të shënonte "fundin e politikave pro-evropiane të Serbisë".
"Ne nuk do ta përkrahim rezolutën për shkak se ajo mishëron kthimin e politikave izolacioniste anti-perëndimore të "ish presidentit serb" Slobodan Millosheviç," tha ai.
Oliver Ivanoviç, një udhëheqës serb i Kosovës, e pa rezolucionin e propozuar si të përdorur "për qëllime politike të përditshme" që nuk do të ndryshonte kurrgjë.
"Kjo është një perpektivë boshe, është si e shohin botën çilimijtë. Nuk ka kuptim...që ne do ta dëmtojmë BE duke refuzuar të bashkohemi me të," i tha ai B92 me bazë në Beograd. "Fakti që ne nuk na pëlqen kjo nuk do t'i ndalojë aleatët e shqiptarëve t'i japin atyre miratimin për të shkuar përpara me këtë. Në qoftë se ata e bëjnë, është e rëndësishme që ne të kemi forca të jashtme që mund t'i kthejmë ndaj kësaj në qoftë se gjërat marrin për më keq."
Ivanoviç kritikoi gjithashtu orvatjet për të mbjellur frikë midis serbëve të Kosovës me thirrjet rreth dhunës së mundshme ndaj komunitetit në rast të deklarimit të pavarësisë.
"Ata të gjithë na trëmbin ne, por unë mendoj se ajo (dhuna) është shumë më pak me gjasë se më parë," tha ai. "Edhe pse gjithkush na trëmb me këto gjëra, unë mendoj se ajo është shumë më me pak gjasa se ç'ishte në 2004, pas 17 marsit," tha ai.