Kroacia e Turqia lëvizin përpara në udhën e pranimit në BE

20/12/2007

Bisedimet mbi kapitujt e rinj të politikave u hapën me Kroacinë dhe Turqinë ndonse të dy vendet po lëvizin me ritëm të ndryshëm në ofertat e tyre të pranimit në BE.

(Zaman, FT - 20/12/07; AFP, Reuters, DPA, Bloomberg, Deutsche Welle, Euronews - 19/12/07)

photo

Ministri i jashtëm portugez Luis Amado (majtas) përshëndet homologun e tij turk Ali Babaçan përpara një konference ndërqeveritare në selinë e BE në Bruksel të mërkurën (19 dhjetor). [Getty Images]

Kroacia dhe Turqia filluan të dyja të mërkurën (19 dhjetor) bisedimet mbi kapitujt e rinj nga më shumë se 35 fusha të politikave që një vend kandidat duhet të përfundojë përpara se të bashkohet me BE.

Për Kroacinë, hapja e bisedimeve në kapitujt e rrjeteve trans-evropiane dhe masave financiare e buxhetore në një ceremoni zyrtare në Bruksel të mërkurën e shpuri në 16 numrin e politikave të hapura që kur filluan negociatat e pranimit.

Turqia filloi gjithashtu bisedimet në dy fusha të tjera. Kapitujt e rrjeteve trans-evropiane dhe të shëndetësisë e mbrojtjes së konsumatorit u hapën zyrtarisht gjatë një konference në Bruksel e cila u kryesua nga ministri i jashtëm portugez Luis Amado vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE. Delegacioni turk kryesohej nga ministri i jashtëm Ali Babaçan i cili shërben gjithashtu si kryenegociatori i Ankarasë me bllokun 27-vendesh.

Duke përshëndetur përparimin, komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn i cili ndoqi gjithashtu konferencën, tha se kjo tregonte se megjithë disa vështirësi, negociatat e pranimit të Turqisë janë në udhën e duhur.

"Procesi i pranimit në BE i Turqisë vazhdon dhe po jep rezultate," tha ai.

Masa e së mërkurës duhet të shihet si provë se "BE i qëndron angazhimeve të veta dhe e mban fjalën," shtoi Rehn. Ai i kërkoi Turqisë të "rinisë plotësisht procesin e saj të reformës, veçanërisht lidhur me lirinë e shprehjes dhe lirinë fetare".

Për të kompletuar bisedimet në të dy kapitujt, Turqia duhet të zbatojë një numër masash për të sjellë legjislacionin e vet në përputhje me standardet dhe normat e BE në këto fusha si edhe të marrë hapa për të përmirësuar aftësinë institucionale dhe administrative të disa prej strukturave të saj. Por me hapjen e e bisedimeve mbi kapitullin e rrjeteve trans-evropiane, për shembull, Turqia do të gjejë gjithashtu akses në financimet e BE që do ta ndihmojnë atë të përtërijë infrastrukturën e vet.

Masa e së mërkurës e shpie në gjashtë numrin e kapitujve të hapur që nga nisja zyrtare e bisedimeve të pranimit me Bashkimin në tetor 2005.

Një vit më parë, BE pezulloi negociatat në tetë kapituj për shkak të refuzimit të Turqisë për të hapur portet dhe aeroportet e veta për trafikun nga Qiproja, e cila hyri në Bashkim në 2004.

Duke theksuar se procesi i pranimit të Turqisë "është ende krejtësisht i gjallë", Amado shprehu merakun të mërkurën rreth rënies së mbështetjes për ofertën e Ankarasë në BE si së brendëshmi dhe në Evropë.

Sipas rezultateve të një sondazhi të ri të martën, mbështetja për anëtarësimin në BE në Turqi ka rënë në 49% nga 54% vitin e kaluar dhe 73% në 2004.

Ndërkohë, oferta e vendit për t'u bashkuar me klubin 27-vendesh është mbështetur nga vetëm 21% e evropianëve sipas një sondazhi të kryer nga German Marshall Fund në shtator.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading