11/12/2007
Videoja e fundit nga Osama bin Laden provokoi pak interes në Ballkan, me shumicën që e shohin atë si një problem për Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times – 11/12/07
![]() Në nëntor 2003, terroristët me lidhje me al-Kaedën vunë bomba në katër vende në Stamboll. [Getty Images] |
Osama bin Laden drejtoi kërcënimet e tij të fundit për vendet evropiane, veçanërisht atyre që bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara në luftën e saj globale mbi terrorin. Në një video lëshuar muajin e shkuar, kreu i al-Kaedës tha se kishte për qëllim t'u dërgonte "një mesazh popujve të Evropës".
Por në një pjesë të kontinentit, Evropën Juglindore, fjalët e tij tërhoqën pak vëmendje. Qeveritë nuk patën reagime zyrtare dhe degët e shtypit lokal dhe analistët politikë e trajtuan rastin si të kishte të bënte pak me rajonin.
Videoja nuk arriti të ngjallë interes as në Turqi, ku persona të lidhur me al-Kaedën kryen sulme vdekjeprurëse katër vjet më parë. Me turqit që aktualisht janë të preokupuar me dhunën nga ekstremistët kurdë dhe një operacion ndër-kufitar në Irakun e veriut, shqetësimet rreth bin Laden dhe rrjetit të tij global të terrorit janë shuar midis publikut. Ndjenja anti-SHBA është e fortë dhe ndërprerjet në procesin e pranimit në BE kanë distancuar vendin nga Evropa gjithashtu.
Qeveria turke u përmbajt nga bërja e ndonjë komenti publik mbi videon. Media në vend e trajtoi atë si një çështje ndërkombëtare me interes kryesisht për Perëndimin.
E përditshmja me qarkullim më të madh në Turqi, Hurriyet dha një artikull të shkurtër në seksionin e saj të jashtëm dhe nuk theksoi ndonjë kërcënim potencial për Turqinë.
Të tjera degë të medias i dhanë lajmit pak vëmendje, pjesërisht sepse të tjera ngjarje mbizotëruan kryetitujt. Në 29 nëntor, një ditë pas lëshimit të videos, një avion vendas u rrëzua duke vrarë 57 vetë në bord. Ditën tjetër, ushtria turke lëvizi kundër terrorisëtve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) me baza në Irakun e veriut.
Videoja e re e bin Laden ishte e pesta deklaratë publike e tij këtë vit. Në të, ai u kërkoi popujve të Evropës të bënin presion ndaj qeverive të tyre për t'i dhënë fund bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
Ai akuzoi disa krerë aktualë e të mëparshëm evropianë, duke përfshirë kryeministrin e tanishëm britanik Gordon Braun, presidentin francez Nikolas Sarkozi, për qënien "nën hijen e Shtëpisë së Bardhë".
Disa vende në Evropën Juglindore kanë marrë pjesë në operacionin e kryesuar nga SHBA në Irak, në Forcën e Ndihmës Ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan (ISAF) ose në të dyja ato, duke i bërë këto vende objektiva potencialë.
Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Bullgaria, Maqedonia dhe Rumania kanë të gjitha kontigjente në Irak.
Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Rumania dhe Turqia, janë pjesë e ISAF.
Evropa Juglindore ka qenë gjithashtu një vend për veprimtaritë rekrutuese të al-Kaedës, me grupin që kërkonte të shfrytëzonte ndarjet fetare që ndezën konfliktet ballkanike të viteve 1990.
Në Bosnje dhe Herzegovinë, luftëtarët muxhahidinë me lidhje me al-Kaedën u bashkuan me ushtrinë boshnjake në luftën kundër forcave serbe boshnjake. Veprimtaria e al-Kaedës është raportuar gjithashtu në Kosovë.
Është Turqia megjithatë që ka patur përvojën më të rëndë me terrorizmin e kryer nga grupi.
Në nëntor 2003, sulmuesit me bomba kryen sulme kundër dy sinagogave, konsullatës së përgjithëshme britanike dhe bankës HSBC. Së paku u vranë 60 vetë. Të dyshuarit e kapur thanë se kishin vepruar me urdhërat e drejtpërdrejtë të vetë bin Ladenit dhe kishin udhëtuar në Afganistan për t'u trainuar dhe planifikuar sulmet.
Bin Laden donte që grupi të sulmonte interesat e SHBA, veçanërisht bazën ushtarake në Inçirlik, citojnë raporte e media të kenë thënë të dyshuarit. Megjithatë, objektivat origjinalë u provuan tepër të vështirë për t'u sulmuar dhe grupit ju desh të vendoste për vende më të cënueshme. Në përfundim, shumica e viktimave qenë turq.
Megjithë humbjen e dukshme të interesit publik, analistët turq thonë se policia dhe nëpunësit e sigurimit vazhdojnë ta marrin me seriozitet kërcënimin e al-Keadës dhe mbikqyrin nga afër simpatizantët.