26/11/2007
Bashkimi Demokratik Kroat i kryeministrit Ivo Sanader lëvizi përpara Social Demokratëve në zgjedhjet e së dielës por të dy partitë janë tepër larg nga shumica e nevojshme në parlament. Mund të priten bisedime të dendura koalicioni në ditët e ardhëshme.
Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb – 26/11/07
![]() Kreu i HDZ dhe kryeministri Ivo Sanader reagon ndërsa janë marrë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës (25 nëntor). [Getty Images] |
Me partinë qeverisëse pakëz përpara por me krahun e majtë potencialisht të aftë për të ndërtuar një koalicion, do të duhet ca kohë përpara se përfundimi i zgjedhjeve të përgjithëshme të së dielës (25 nëntor) të qartësohet. Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e kryeministrit Ivo Sanader dhe Social Demokratët (SDP) u duhet tani të përpiqen të bashkëpunojnë për 77 votat e nevojshme për një shumicë parlamentare.
Rezultatet paraprake, bazuar në mbi 97% të votave tregojnë HDZ me 35.8% të votave, që i japin asaj 60 vende. Social demokratët e ndjekin me 31.84% të votave apo 57 vende. Në vendin e tretë është një koalicion i krijuar nga Partia Fshatare Kroate (HSS), Partia Sociale Liberale (HSLS) dhe Aleanca e Rajonit Malor (PGS), me nëntë vende. Partia Kroate Popullore (HNS) është e katërta me shtatë vende.
Kreu i HDZ Sanader ishte i pari që nisi festimin. Sapo dolën rezultate, ai e deklaroi partinë e tij fituese dhe tha se do t'i kërkonte presidentit Stipe Mesiç për mandatin e formimit të një qeverie. Atmosfera në selitë e HDZ ishte euforike. Megjithatë, e tillë ishte skana në zyrat e partisë SDP, ku anëtarët e partisë po kënaqeshin me një koncert "akustik" nga një grup kroat rroku. Kreu i SDP, Zoran Milovanoviç ka premtuar të mbledhë votat e nevojshme për të fituar postin e kryeministrit.
Do të jetë në dorë të paryive më të vogla të vendosin se kush përfundimisht do të dalë fitues. HNS e krahut të majtë ka thënë ndërkaq se është gati të bashkohet në një koalicion me SDP, por rolin kryeso në këto zgjedhje ka gjasa ta luajë koalicioni i qendrës HSS-HSLS-PGS. Ai është aktualisht në negociata si me Sanader dhe me Milanoviç. Siç thotë një këngë e vjetër kroate, kush jep më shumë do të marrë nusen.
Diaspora kroate, veçanërisht në Bosnje dhe Herzegovinë ku mbështetja për HDZ është e fortë, mundet gjithashtu ta prekë peshoren. Votuesit e diasporës pritet t'i japin Sanader dhe partisë së tij deri në pesë vende shtesë.
Presidenti Mesiç, duke kqyrur përfundimet e zgjedhjeve nga zyra e tij, tha se ai do "t'i jepte mandatin për të formuar qeverinë atyre që jepnin një garanci të plotë për 77 vota parlamentare". Presidenti foli me të dy kandidatët në natën e zgjedhjeve por nuk deshi të komentojë mbi pëlqimin e tij duke thënë se ai donte të mbetej i paanshëm gjatë procesit.